Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Seanca s’ka mbaruar, policët e arrestuar për rastin e 27-vjeçarit përballen me dyshimet për vrasje nga pakujdesia

NULL NULL
09.07.2025 13:18

Seanca dëgjimore në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Lipjan, ndaj policëve të dyshuar për rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, akoma s’ka përfunduar.

Gjyqtari i procedurës paraprake pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorit të Shtetit, nëse do t’i çojë në paraburgim zyrtarët policorë, apo do të caktojë një masë alternative, njofton Klankosova.tv.

Në seancë, nuk u lejua të merrte pjesë avokati i familjes e as mediat.

Pamjet e disa prej policëve të prangosur tashmë janë publikuar dhe të njëjtit sot përballen me dyshimet fillestare për vrasje nga pakujdesia.

May be an image of 2 peopleMay be an image of 1 person and beard

May be an image of 1 person

Emrat e të arrestuarve janë Ibrahim Nela, rreshter në Stacionin Policor Lipjan, Liridon Rrahmani, Artidon Konxheli dhe Albian Raktoceri, zyrtarë policorë të këtij stacioni, si dhe Endrit Beqiri, zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj.

Nëse do të hetohen për këtë vepër, si e parasheh dënimin Kodi Penal i Republikës së Kosovës?

Sipas nenit 175, kushdo që e privon nga jeta personin tjetër nga pakujdesia, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Si parashihet përgjegjësia penale?

Kryesi i veprës penale është penalisht përgjegjës nëse është mendërisht i aftë dhe veprën penale e ka kryer me dashje apo nga pakujdesia, ndërsa dijenia, dashja, pakujdesia ose qëllimi i kërkuar si element i veprës penale mund të nxirret nga rrethanat faktike.

Sipas Kodit, vepra penale mund të kryhet me pakujdesi të vetëdijshme apo të pavetëdijshme.

“Personi vepron me pakujdesi të vetëdijshme kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose të mosveprimit të tij, por me mendjelehtësi mendon se ajo nuk do të shkaktohet apo se ai do të mund ta parandalojë shkaktimin e saj.

Personi vepron me pakujdesi të pavetëdijshme kur nuk është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose mosveprimit të tij edhe pse në rrethanat dhe sipas vetive të tij personale ka mund të ishte apo do duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë mundësi.” – thuhet në nenin 23.

Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.