Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Këta janë pesë të akuzuarit për fajde në Prizren – zbulohet skema e frikshme e grupit kriminal

NULL NULL
23.05.2025 12:07

Pesë persona po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prizren se kanë kryer veprën penale të fajdes. Dy të fundit, dyshohen edhe për armë ilegale, ndërsa në të njëjtën aktakuzë është përfshirë edhe një person i dyshuar për “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, raporton Klankosova.tv.

Siç merr vesh Klankosova.tv pjesë e kësaj aktakuze janë tre anëtarët e familjes Thaqi në Caparc të Prizrenit: Jeton Thaqi, Istref Thaqi e Ardian Thaqi, si dhe dy vëllezërit Liridon dhe Dibran Gashi.

Tre të parët janë arrestuar në muajin nëntor të vitit të kaluar, ndërsa dy të tjerët në muajin shkurt.

FOTO: Jeton Thaqi, Istref Thaqi, Ardian Thaqi, Liridon Gashi, Dibran Gashi

 

Dosja ‘Thaqi’ 

Sipas aktakuzës, i pandehuri Jeton Thaqi, “nga muaji Maj 2023, e në vazhdimësi deri me datë 02.10.2024, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit J.A., ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 (pesëqind) euro kamatë, dhe deri me datë 02.10.2024, kamatat tek i pandehuri kishin arritur vlerën prej 20.000 (njëzet mijë euro). Me datë 02.10.2024 i pandehuri takohet me të dëmtuarin i cili e njofton se ia ka sjellë shumën prej 5.000 (pesëmijë euro) në emër të kamatës, me ç’rast arrestohet në flagrancë nga policia. Me këto veprime J.Th., ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.”

Ndërsa dy të akuzuarit e tjerë, Istefi dhe Ardiani, babë e bir, “duke vepruar në bashkëveprim, takohen me të dëmtuarin, të cilin e paralajmërojnë se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 (pesëqind) euro kamata mujore, ndërsa më pas kamata javore 50 (pesëdhjetë) euro e më pastaj janë ndryshuar, duke u rritur në kamata në shumë prej 100 (njëqind) euro.”, raporton Klankosova.tv.

Si rezultat i këtyre veprimeve, tek të pandehurit kamatat kishin arritur rreth 11,000 euro.

Ndërsa, personi tjetër në këtë aktakuzë, Gjem Thaqi, familjar i të akuzuarve të tjerë nga familja Thaqi, akuzohet se nga muaji nëntor i vitit 2024 e deri në muajin shkurt 2025, në lokacione të ndryshme në Prizren,” ka nxitur dëshmitarin J.A., i cili njëherit e ka cilësinë e të dëmtuarit – viktimës në këtë çështje penale, që i dëmtuari të jap deklaratë të rreme, me qëllim të lehtësimit të procesit gjyqësor të familjarëve të tij -të pandehurve J.Th., I.Th.,dhe A.Th., dhe lirimit të tyre nga masa e paraburgimit, ashtu që i pandehuri në vazhdimësi ka kërkuar nga i dëmtuari që të ndryshojë deklaratën e tij të dhënë më herët kundër të pandehurve, dhe në këmbim të ndryshimit të deklaratës do të hiqet borxhi në tërësi, e duke i premtuar se nuk do të ketë probleme me të pandehurit e lartpërmendur. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” sipas KPRK-së.”

Dosja e vëllezërve Gashi

Liridon dhe Dibran Gashi akuzohen se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit J.A., pasi fillimisht i japin të holla me interes, “i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare duke mos pasur mundësi kthimi të të hollave, në muajin Qershor 2024, në lokalin e të pandehurit D.G., takohet me të njëjtin të cilit në emër të shumës prej 2,500 euro në të cilin përfshihet edhe interesi, të pandehurit D.G., ia jep automjetin e markës VË UP i vitit 2018 i cili automjet në çmim është dukshëm më i lartë, për shumën prej 2,500 euro sa ka pasur t’i jap i dëmtuari të pandehurve. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” KPRK-së.”, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, secili veç e veç, akuzohen se kanë kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokurori i rastit ka propozuar të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjetit dhe objektit me të cilën është kryer vepra penale si dhe të konfiskohen sendet të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepra penale. /Klankosova.tv.

Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Aktakuzë ndaj gjashtë personave në Prizren për tri vepra, në mesin e tyre edhe fajdeja

lajme të ngjashme