Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kampionati Botëror, kush janë fituesit dhe humbësit e vërtetë?

NULL NULL
17.07.2026 12:35

Ky Kampionat Botëror solli shumë emocione, diskutime dhe spektakël futbolli.

Më shumë vende pjesëmarrëse dhe më shumë ndeshje do të thotë më shumë vëmendje ndaj aksionit – si dhe më shumë mundësi për të fituar para.

Ndërsa yjet e futbollit krijojnë momente historike në fushë, miliarda dollarë po gjenerohen prej kësaj.

Por jo të gjithë po fitojnë shumë para, kështu që ndërsa ka disa fitues të mëdhenj, ka edhe disa humbës financiarë.

Shuma e parave që FIFA, organi drejtues i futbollit botëror, fiton nga Kupa e Botës është marramendëse. Ajo gjeneroi një shifër rekord prej 7,6 miliardë dollarësh (5,6 miliardë paund) nga turneu i

Katarit në vitin 2022 dhe pritet ta tejkalojë këtë shifër me turneun e vitit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, veçanërisht duke pasur parasysh zgjerimin e tij në 48 ekipe.
Marion Laboure, stratege e lartë në “Deutsche Bank Research”, thotë se FIFA është “padyshim” fituesja kryesore, me të ardhurat e saj gjatë ciklit katërvjeçar që i afrohen shifrës prej 13 miliardë dollarësh.

Të ardhurat e FIFA-s vijnë nga shitja e të drejtave të transmetimit, licencimit dhe shërbimeve të mikpritjes, si dhe nga marrëveshjet e sponsorizimit dhe shitja e biletave.

“FIFA hyri gjithashtu në tregun dytësor me platformën e saj zyrtare të rishitjes, duke aplikuar një tarifë prej 15% si ndaj blerësit, ashtu edhe ndaj shitësit,” shton Laboure.

Duhet të presim më shumë nga kjo në turnetë e ardhshëm, pasi FIFA po shqyrton mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të turneut në 64 ekipe; kjo mund të përfshijë vende si Kina dhe India – si dhe miliarda shikues shtesë që vijnë bashkë me to.

Ndërkohë që tifozët mund të kenë realizuar ëndrrat e tyre të përjetshme, nga ana financiare, ky turne ka qenë i vështirë.

Shumat e mëdha që janë shpenzuar vetëm për të paguar biletat dhe kritikat ndaj strategjisë dinamike të çmimeve të FIFA-s, e cila rrit çmimet kur kërkesa është e lartë, janë dokumentuar mirë.

Edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pranoi se “nuk do të paguante” kur u pyet për çmimin e mundshëm prej 1,000 dollarësh për ndeshjen hapëse të turneut të vendit të tij kundër Paraguait.

Biletat për finalen në stadiumin MetLife të Neë Jersey-t u ofruan zyrtarisht me 32,970 dollarë, ndërsa disa bileta për rishitje janë listuar për më shumë se 2 milionë dollarë.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mbrojti çmimet e biletave, duke argumentuar se ato ishin në përputhje me ngjarjet e tjera sportive në SHBA.

Përveç biletave, tifozët janë shtrënguar edhe për fluturime, ushqim dhe akomodim.

Një shembull që u bë lajm ishte rritja e çmimit të biletave të trenit të Neë Jersey Transit. Një udhëtim 30-minutësh me tren për në stadiumin MetLife u rrit në 150 dollarë për turneun nga 12.90 dollarë që është zakonisht për një biletë vajtje-ardhje. Një reagim i ashpër çoi në uljen e çmimeve, por ato mbetën përsëri më të larta se normalja.

Transmetuesit dhe sponsorët – fitues

Ndërsa transmetuesit është dashur të shpenzojnë shuma të mëdha parash për të transmetuar turneun, shifrat e shikueshmërisë – dhe dëshira e sponsorëve për të ekspozuar markat e tyre – nënkuptojnë se ata ka gjasa të realizojnë fitime të mëdha nga shitja e hapësirave publicitare.

FIFA prezantoi pauzat e shumëpërfolura për hidratim në këtë Kampionat Botëror – një lëvizje që Infantino e cilësoi si “çështje thjesht sportive”, pa të ardhura shtesë për organin drejtues.

Megjithatë, ato tri minuta kohë që u jepen lojtarëve për të konsumuar lëngje kanë krijuar një mundësi të re komerciale për transmetuesit dhe sponsorët.

Fox Sports, që raportohet se pagoi 485 milionë dollarë për të drejtat e transmetimit në SHBA, i prezantoi këto pauza si të “sponsorizuara nga” një markë e caktuar.

Sipas ekspertëve, një hapësirë ​​mesatare publicitare 30-sekondëshe gjatë Kampionatit Botëror në Fox kushton midis 200,000 dhe 300,000 dollarë. Kjo shifër arrinte deri në 750,000 dollarë gjatë ndeshjeve të ekipit të SHBA-së dhe fazave finale.

“Pauzat për hidratim janë thjesht hapësirë ​​për reklamim. Do të habitesha jashtëzakonisht shumë nëse ato do të zhdukeshin. Formati i zgjeruar do të mbetet, sepse tashmë modeli i biznesit të FIFA-s bazohet te përmasat e mëdha,” thotë Laboure nga Deutsche Bank Research.

David Beckham – fitues

Në reklamën kryesore të Adidas-it shfaqet gjithashtu një version i krijuar nga inteligjenca artificiale i Sir David Beckham-it – i cili, për hir të së vërtetës, mund të mos ketë pasur kohë të merrte pjesë personalisht në xhirime.

Sportisti i parë miliarder i Mbretërisë së Bashkuar ka marrë pjesë në kaq shumë reklama – nga Home Depot te Bank of America – saqë do t’ju falej nëse do të harronit se cilën markë përfaqëson ai në të vërtetë.

Pavarësisht se u tërhoq nga futbolli aktiv më shumë se një dekadë më parë, Beckham vazhdon të jetë fytyra e futbollit në SHBA; klubi amerikan që ai bashkë-zotëron, Inter Miami, vlerësohet si klubi më i vlefshëm i “Major League Soccer”, me një vlerë prej 1,45 miliardë dollarësh.

Mund të mos ketë arritur ta fitojë Kupën e Botës në fushën e lojës, por padyshim që e ka fituar “lojën” komerciale jashtë saj.

Qytetet pritëse – humbëse

16 qytetet pritëse në SHBA, Kanada dhe Meksikë kanë mirëpritur një fluks tifozësh dhe turistësh, duke nxitur sektorin e mikpritjes, hotelet dhe bizneset lokale.

Megjithatë, ndonëse tifozët skocezë “e boshatisën” Bostonin nga pijet dhe fituan zemrat e qytetit e të banorëve të tij, ekspertët thonë se përfitimet ekonomike afatgjata janë minimale.

FIFA vlerësoi se në ekonominë globale do të shtoheshin rreth 41 miliardë dollarë – nga të cilat 17 miliardë do të nxisnin vetëm ekonominë e SHBA-së – dhe do të krijoheshin 185,000 vende pune, kryesisht në sektorin e mikpritjes dhe akomodimit.

Por Alexander Budzier, studiues i praktikave të menaxhimit në Universitetin e Oksfordit dhe drejtues ekzekutiv i kompanisë së menaxhimit të projekteve “Oxford Global Projects”, thotë se përfitimet ekonomike afatgjata nga organizimi i një eventi kaq të madh sportiv thjesht nuk materializohen.

Në fakt, qytetet pritëse zakonisht përjetojnë një rënie të ndjeshme të numrit të vizitorëve, thotë ai, pasi shumë njerëz përpiqen t’i shmangen kaosit që sjell turneu.

Dhe ndonëse mund të ketë një rritje të punësimeve, ai argumenton se bëhet fjalë kryesisht për punë me paga të ulëta në sektorin e mikpritjes. “Kjo krijon vende pune, por nuk krijon pasuri,” thotë ai.

Hotelet – palët humbëse

Kërkesa e pritshme për dhoma hotelesh nuk u realizua; organizatat e sektorit raportuan më pak rezervime në qytetet pritëse këtë vit krahasuar me vitin e kaluar.

Shoqata e Hoteleve të British Columbia-s thotë se, ndonëse shifrat përfundimtare të rezervimeve ende nuk janë konfirmuar, ecuria e muajve qershor dhe korrik ishte “dukshëm më e dobët se në vitet e mëparshme”, pavarësisht se Vankuveri priti shtatë nga ndeshjet që u zhvilluan në Kanada.

Ajo shpjegon se turnetë “nuk sjellin 40 ditë rresht me hotele plotësisht të rezervuara”, por përkundrazi krijojnë kërkesë të lartë vetëm rreth datave specifike.

As për hotelierët amerikanë, buja e krijuar para turneut nuk solli rezultatet e pritura.

Shoqata Amerikane e Hoteleve dhe Akomodimit (AHLA) e akuzoi FIFA-n se kishte rezervuar paraprakisht një numër të tepërt dhomash për përdorim vetjak, duke krijuar kështu një kërkesë artificiale. FIFA deklaroi se nuk e pranon këtë akuzë.

Laboure, nga “Deutsche Bank Research”, thotë se e njëjta situatë ndodhi edhe në Francë në vitin 1998, kur kërkesa nuk i përmbushi pritshmëritë.

“Deri në prill, 80% e operatorëve të hoteleve në SHBA raportuan se rezervimet ishin në nivele më të ulëta se parashikimet fillestare; dy të tretat e hotelierëve në Nju-Jork raportuan rezervime më të pakta se sa pritej, ndërsa në Seattle këtë e bënë gati 80% e tyre, me shumë prej tyre që e cilësuan turneun si një ngjarje pa ndikim të dukshëm,” shton ajo.

Kompanitë e basteve – fitueset

Kupa e Botës e vitit 2026 pritet të jetë ngjarja më e madhe e basteve në histori, me një vlerë të parashikuar prej 50 miliardë dollarësh të vendosur në baste – rreth 500 milionë dollarë për ndeshje – sipas firmës së shërbimeve financiare Macquarie, e cila ka interesa në industrinë e lojërave të fatit.

Firma shprehet se kjo lidhet kryesisht me shtimin e numrit të ekipeve, çka do të thotë se do të zhvillohen më shumë se 100 ndeshje, krahasuar me 64 që u luajtën në vitin 2022.

Flutter Entertainment, kompania që zotëron Paddy Poëer, Betfair dhe Sky Bet, parashikon se shuma e vendosur në baste do të jetë dyfishi i asaj të turneut të kaluar, për shkak të rritjes së aktivitetit në SHBA dhe Brazil.

Chad Beynon, analist në Macquarie, tha se bastet gjatë lojës (live) kanë zënë vendin e basteve më tradicionale që vendoseshin para fillimit të ndeshjes.

“Tani gjithçka ka të bëjë me reagimin ndaj asaj që shihni në fushë dhe përshtatjen e mendimeve tuaja. Ndërsa më parë, qasja ishte më tepër ‘ulu, shiko dhe prit’ – duhej ta vendosje bastin para se të fillonte ndeshja,” thotë ai.

lajme të ngjashme