Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Kam sakrifikuar shumë, jetoj me pasoja…”, rrëfimi i Elshanit për ngjarjet e luftës në Istog (VIDEO)

NULL NULL
03.07.2026 15:36

Naim Elshani, në “Kosova Today”, ka rrëfyer detaje të rënda nga ngjarjet e luftës në komunën e Istogut, duke përshkruar momentet e 6–7 majit 1999, kur forcat serbe rrethuan popullatën dhe u kryen ekzekutime ndaj civilëve.

Elshani ka thënë se më 6 maj 1999 Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte tërhequr nga fshati, ndërsa një ditë më vonë forca të mëdha serbe kishin rrethuar zonën ku ndodheshin civilë të strehuar nga zonat e luftës.

“Me datën 6 maj 1999 largohet Ushtria Çlirimtare nga fshati dhe me datën 7 maj na rrethojnë forca të mëdha serbe. Ne që ishim disa luftëtarë aty detyrohemi t’i lëshojmë armët, për shkak të popullatës që kishte ardhur nga zonat e luftës dhe ishte strehuar në fshatin tonë. Detyrohemi t’i lëshojmë armët. Ishte kërkesa e pleqëve që t’i lëm armët. Ishte një vendim shumë i dhimbshëm.

Ai ka treguar se më 7 maj, gjatë grumbullimit të popullatës në livadhin e Ali Grabocit, forcat serbe kishin rrethuar zonën dhe kishin kërkuar një person për përkthim, duke marrë Kadri Shoshin.

Me datën 7 maj, kur u grumbullua popullata në livadhin e Ali Grabocit, aty na rrethuan forcat serbe. Ata ishin me uniforma luftarake, paramilitarë dhe kërkuan një person që e dinte gjuhën serbe për përkthim dhe e morën Kadri Shoshin. Ai u drejtohet njerëzve: a ka të armatosur, a ka UÇK? Jo. Më pas merret vendimi që popullata të niset për Shqipëri. Dy vëllezërit e mi shkuan me karrocë me kuaj, unë me traktorin e mixhës Daut, ku ishin edhe familjarë të tjerë. Ishim shumë persona në një traktor. Shtatë persona të familjes sime janë vrarë atë ditë.

 

“Nuk kam ndjerë dhimbje në momentin e pushkatimit. Kur jam zgjuar kam qenë mbi kufoma. Kam menduar se jam i vdekur. Nuk kam lëvizur për një kohë, derisa kam kuptuar që forcat ishin larguar. Kam pirë ujë aty pranë dhe pastaj kam arritur të largohem nga vendi i ngjarjes, duke kaluar nga oborr në oborr. Më vonë kam kuptuar se shtatë anëtarë të familjes sime ishin vrarë.

Derisa, sot gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 12 vite burgim Ekrem Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte gjatë periudhës së luftës në vitet 1998-99 në komunën e Istogut.

Ky është vendimi i rigjykimit, pasi rasti ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme. Shpallja e këtij aktgjykimi u bë sot nga gjyqtari Avni Syla.

Lidhur me këtë Elshani në Kosova Today tha se nuk është i kënaqur aspak me vendimin, pasi sipas tij është i ulët.

Elshani ka shtuar se edhe pas luftës ka qenë i kërcënuar dhe se disa raste i ka raportuar në Prokurori, duke theksuar se vazhdon të jetojë me pasojat e luftës dhe sakrificat personale.

Kam parë edhe persona të tjerë që kanë marrë pjesë në dhunë dhe ekzekutime. Njëri prej tyre ka qenë Ekrem Bajroviç, polic në atë kohë, i cili më ka njohur por nuk më ka liruar. Ai është dënuar me 12 vite burg, por për mua ky dënim është i ulët për atë që ka ndodhur. Sot ndihem pak më i qetë, por nuk pajtohem me vendimin e gjykatës. Kam qenë i kërcënuar edhe pas luftës. Kam dorëzuar emra në prokurori. Unë e dua jetën, e dua popullin tim dhe shtetin tim, por këto vite kanë qenë shumë të rënda për mua. “Kam sakrifikuar shumë dhe ende jetoj me pasojat e asaj kohe.

 

 

lajme të ngjashme