Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Zyrtari në Kaçanik i kërkon 600 euro qytetarit për t’i ‘kryer punë’, përfundon në pranga

NULL NULL
06.07.2026 15:21
Foto ilustruese, ryshfet
Foto ilustruese, ryshfet

Një person zyrtar në Kaçanik është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi dyshohet se i ka kërkuar një qytetari të paguante mbi 600 euro për dokumente që më pas nuk u përfshinë në dosjen për leje ndërtimi.

Sipas Policisë së Kosovës, hetimet nisën pasi autoritetet pranuan informacione për dyshime se zyrtari kishte tejkaluar kompetencat e tij gjatë trajtimit të një kërkese për leje ndërtimi.

“Dyshohet se personi, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, përveç dokumentacionit të rregullt për leje ndërtimi, i kishte kërkuar viktimës dokumente shtesë (projekte), të cilat do t’i kompletonte ai, me kusht që viktima të paguante më pas shumën mbi 600 euro te një kompani private gjeodezike”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv.

Sipas autoriteteve, pasi qytetari kishte marrë lejen e ndërtimit, ai kishte vërejtur se dokumentet për të cilat kishte bërë pagesën nuk figuronin fare në dosjen zyrtare, çka e shtyu ta raportonte rastin në Polici.

Pas denoncimit, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ndërmorën veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

“Sot, në prani të avokatit mbrojtës, është intervistuar i dyshuari për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.

Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

lajme të ngjashme