Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma” (VIDEO)

NULL NULL
nga saranda aliu 21.11.2024 19:52

Shtëpitë e pabanuara për një kohë u bënë strehë e më pas u shndërruan në vende morti.

Dhjetëra lajme janë të publikuara në internet ku persona nga qytete të ndryshme të Kosovës kanë vdekur në shtëpi të braktisura. Shumica prej tyre në rrethana të dyshimta, të cilat më pas u lanë në harresë.

Njëjtë kishte ndodhur edhe para një viti në rrugën “Ferat Dragaj” të lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Banorët e asaj pjese kanë treguar se deri në ditën e vdekjes, në shtëpinë që mban numrin 62, e cila nga viti 2012 është braktisur, kishte jetuar një grua rreth të 30-tave.

Sipas tyre, aty kishte qëndruar edhe një person tjetër, derisa banorët pretendojnë se shkaku i vdekjes ishte droga dhe mbidoza nga lëndët narkotike, ani pse këtë nuk e bënë kurrë të ditur as Policia e as Prokuroria.

E pikërisht, vdekja e saj e kishte tronditur lagjen e krejt kryeqytetin.

Sipas Policisë, e reja ishte gjetur pa shenja jete në hollin e katit të dytë të një ndërtese që gjendet përball shtëpisë së braktisur ku kishte jetuar.

Banorët kanë frikë se mos një ngjarje e tillë mund të ndodh përsëri.

Ata i thanë Kiksit se shpesh herë nuk mund të flejnë nga zhurmat që vijnë prej personave që qëndrojnë aty.

Frikën më të madhe, këta banorë, e kanë për fëmijët. Shtëpia, e gjendur në mes të shumë shtëpive të banuara, është vendkalim i përditshëm i fëmijëve që kalojnë andej pari. Madje, shkolla filore “Ismail Qemali” gjendet pak metra larg nga po ajo shtëpi, tashmë i njohur si vendstrehim për përdoruesit e lëndëve narkotike.

Duket se këta persona, disa të rinjë e të tjerë edhe në moshë, që futen në atë shtëpi, dhe janë parë duke përdorur lëndë të ndryshme narkotike, në periudha të ndryshme të ditës dalin e kërkojnë para.

Këtë për Kiksin e tha banori i kësaj lagje, Bekim Maliqi. Ai madje thotë se ata iu kanë kërkuar para pikërisht fëmijëve të cilët kalojnë në atë rrugë.

Ndonëse ka vite që presin, banorët e “Ferat Dragaj” në Bregun e Diellit, mbesin me shpresë se shpalosja e shqetësimeve të tyre dhe publikimi i pamjeve nga ajo shtëpi, do të bëjë që drejtorët përkatës nga Komuna e Prishtinës të veprojnë karshi kësaj situate.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.