Jahjaga: E ardhmja e vendit në duart e mësimdhënsëve NULL NULL 01.09.2015 09:40 01.09.2015 09:40 Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2015/2016. Ajo ka uruar të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të gjithë mësimdhënësve dhe prindërve duke uruar një vit të mbarë për të gjithë. “Urime të gjithë nxënësve që besoj se sot jeni edhe më të motivuar për të mësuar më shumë që nesër të jepni kontributin tuaj në ndërtimin e të ardhmes më të mirë për ju, familjen dhe për gjithë shoqërinë” Jahjaga ka vlerësuar punën e mësimdhënësve. “E ardhmja e vendit tonë është në duart tuaja, në përkushtimin dhe angazhimin tuaj për të investuar në fëmijët dhe në rininë e vendit tonë, për t’i përgatitur ata të përballen me sfidat e së ardhmes. Puna juaj duhet të bëhet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të edukimit dhe zhvillimit bashkëkohor, dhe fëmijët tanë duhet të ndjehen e të punojnë të barabartë me moshatarët e tyre kudo nëpër botë” thuhet në urimin e presidentes, transmeton Klan Kosova. Jahjaga është shprehur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për reformimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të sistemit arsimor në vendin tonë duke shtuar se është prioritet i madh investimi në arsim dhe edukim të gjeneratave të reja.