Izraeli shënon një vit që nga sulmi i Hamasit, teksa luftimet po vazhdojnë në disa fronte NULL NULL 08.10.2024 07:52 08.10.2024 07:52 Izraeli ka mbajtur ceremoni për të kujtuar viktimat e vrasjeve dhe rrëmbimeve masive të kryera nga Hamasi më 7 tetor 2023, në një sfond të luftimeve të vazhdueshme në Rripin e Gazës dhe Liban, raporton BBC, transmeton Klan Kosova. Një vit pas sulmit – ku u vranë rreth 1200 njerëz dhe 251 u morën peng – kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua të ndalonte një sulm të tillë të përsëritej, duke thënë se forcat e armatosura të Izraelit po “ndryshonin realitetin e sigurisë” së rajonit. Që nga 7 tetori, gati 42,000 njerëz janë vrarë gjatë ofensivës së Izraelit në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Teksa dita e përkujtimit u shpalos, Izraeli tha se kishte kapur më shumë se 100 raketa të lëshuara nga Hezbollahu në Liban, si dhe predha të lëshuara nga Houthis i Jemenit dhe nga Hamasi në Gaza. Gjatë natës, sirenat paralajmëruese të raketave vazhduan të bien në Izraelin verior dhe disa qytete të tjera u shpallën zona të mbyllura ushtarake, pasi Izraeli duket i vendosur të zgjerojë ofensivën e tij tokësore përtej kufirit me Libanin. Të martën në mëngjes, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se Suhail Hussein Husseini, komandanti logjistik i Hezbollahut, u vra në një “sulm të saktë dhe të bazuar në inteligjencë në zonën e Bejrutit” të hënën. Hezbollahu nuk ka komentuar. ShBA-të kanë treguar se mbështesin shenjëstrimin e Hezbollahut në Liban – por kanë frikë se ai që është përshkruar si një operacion i kufizuar nga Izraeli mund të kthehet shpejt në një konflikt më të gjerë dhe të zgjatur. Dhe teksa zyrtarët amerikanë dhe izraelitë diskutojnë përgjigjen e Izraelit ndaj sulmit raketor iranian të javës së kaluar, drejtori i CIA-s, William Burns, ka paralajmëruar se ekziston një “rrezik shumë real i një përshkallëzimi të mëtejshëm rajonal”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Gruda: Nëse VV-ja do të kishte program për qeveri, do ta largonte propozimin për Haxhiun 09/07/2025
Kosova Gruda thotë se Sveçla duhej të kishte më shumë ndjeshmëri lidhur me rastin e Agon Zejnullahut (VIDEO) 09/07/2025