Izrael-Iran: Si po e ndien Ballkani konfliktin që (s’)i ndez çmimet e naftës? NULL NULL nga Vanesa Zhugolli 21.06.2025 15:45 nga Vanesa Zhugolli 21.06.2025 15:45 Foto: GMA Network / e përpunuar nga Klankosova.tv Tashmë ka hyrë në ditën e nëntë lufta ajrore në mes të Izraelit dhe Iranit. Ekspertë nga fusha e sigurisë thonë për Klankosova.tv se Ballkani nuk është direkt në vijën e parë të këtij konflikti porse Kosova, për shkak të lidhjeve të saj me SHBA-në dhe Izraelin, ka profil më të lartë që të jetë potencialisht objektiv simbolik. Sa i përket aspektit ekonomik, paralajmërohet se konflikti Izrael-Iran të ketë pasoja negative dhe sa më shumë që të zgjasë ai, eskalimi ekonomik do jetë më i madh. Ndërkaq, lidhur me lëvizjen e çmimit të naftës, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, potencoi se edhe Kosova do të ndikohet nga zhvillimet politike në Lindjen e Mesme. Cili është roli i NATO-s në garantimin e stabilitetit të Ballkanit në rast të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme? “Në rast përshkallëzimi, NATO ka protokolle të gatshme për rritje të kapaciteteve ushtarake dhe inteligjente në rajon, si dhe për bashkëpunim me BE-në në menaxhimin e krizave humanitare apo të emigracionit të mundshëm”, thotë eksperti i sigurisë, Drizan Shala për Klankosova.tv Sipas Shalës, Ballkani nuk është direkt në vijën e parë të konfliktit Iran-Izrael, por vulnerabiliteti i tij ndaj efekteve dytësore është real. “Kosova, për shkak të lidhjeve të saj të qarta me SHBA-në dhe Izraelin, ka një profil më të lartë si potencialisht objektiv simbolik. Megjithatë, prezenca e NATO-s dhe qëndrueshmëria e strukturave perëndimore të sigurisë ofrojnë një nivel të konsiderueshëm mbrojtjeje”, tha Shala. Ai shton se politikisht dhe ekonomikisht, rajoni ka nevojë për koordinim më të mirë ndërinstitucional, investim në sigurinë kibernetike dhe sociale, si dhe forcim të narrativave kundër ekstremizmit, për të minimizuar rreziqet në një periudhë globale të tensionuar Zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Iranit me sulme dhe kundërsulme po paraqesin një situatë të tensionuar, por sa ka potencial për të ndikuar ekonomikisht në Ballkan, veçanërisht në Kosovë kjo situatë? Kësaj pyetjeje për Klankosova.tv, i është përgjigjur njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, i cili tha se ky konflikt do të ketë pasoja negative dhe sa më shumë që zgjatë, eskalimi ekonomik do jetë më i madh. Gërxhaliu tha se Irani është fuqia e katërt në botë sa i përket eksportit të gazit dhe naftës dhe për shumë produkte elementare lënda e parë është e bazuar në naftë, prandaj sipas tij kjo debalancë mes ofertës dhe kërkesës do të ndikojë në ngritje te çmimeve. Derisa ai bëri të ditura tri sfida që sipas tij e karakterizojnë këtë momentum në Kosovë. “Në Kosovë janë tri sfida që e karakterizojnë këtë momentum, e para është mungesa e rezerva shtetërore për produkte strategjike, e dyta po ndodh në kohën kur kemi një ngritje të çmimit të energjisë elektrike, dhe kjo ngritje e çmimit të energjisë elektrike dhe të naftës me siguri do ta dëmtojë sektorin privat dhe atë prodhues në Kosovë, dhe fakti që jemi në një mungesë të një stabiliteti politik, ku priten të merren vendime të mëdha në parlament dhe parlamenti nuk është konstituar besoj që është arsyeja më e mirë që e ka kaplu Kosovën dhe rrezikun që i kanoset”. “Prandaj duhet monitorim i tregut, duhet të kemi një orientim të krijimit të rezervave strategjike, por jo në mënyrë korruptive por transparente. Dhe në fund duhet të ndërpritet mundësia e rritjes së tregtisë spekulative që në emër të krizës të fryhen çmimet”, tha Gërxhaliu për Klankosova.tv A do të ndikojë konflikti në çmimet e naftës në Kosovë? Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për Klankosova.tv, deklaroi se edhe Kosova do të ndikohet nga zhvillimet politike në Lindjen e Mesme. “Çmimi i naftës në Kosovë sigurisht që ndikohet gjithashtu nga këto zhvillime gjeopolitike për shkak që Kosova importon pjesën më të madhe të naftës”, tha Berjani për Klankosova.tv Por, ai bën thirrje që qytetarët të mos bëjnë panik sepse po shërbehen me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut që ka akcizë më të ulët se ne për 20 cent. Çmimet aktuale në Kosove janë: Diesel: 1.21€-1.32€ Benzinë: 1.20€-1.31€ Shqipëri Diesel: 1.87 cent Benzina 1.88 cent Serbi Diesel: 1.77 cent Benzina 1.78 cent Benzina 1.47 cent Maqedoni Diesel: 1.16 cent Benzina 1.21 cent Bota e ndarë: Qëndrimet globale ndaj konfliktit Iran–Izrael Në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit, bota është ndarë në qëndrime të ndryshme. Vendet si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe një pjesë e madhe e vendeve të BE-së kanë shprehur mbështetje të qartë për Izraelin. Në anën tjetër qëndrojnë vende që mbështesin drejtpërdrejt Iranin apo që janë hapur anti-Izrael, si Rusia, Kina, Siria, Libani, Iraku dhe Jemeni, që e kanë përkrahur ose justifikuar qasjen iraniane duke e paraqitur si reagim ndaj politikave agresive të Izraelit, veçanërisht ndaj palestinezëve. Disa shtete si Turqia, Katari dhe Pakistani kanë mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Izraelit, duke dënuar bombardimet në Gaza dhe duke e fajësuar atë për përshkallëzimin e situatës, transmeton Klankosova.tv Ndërkohë, një grup vendesh ka qëndruar në pozicion më neutral, duke bërë thirrje për qetësi dhe dialog pa u pozicionuar qartë në njërën anë. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Jashari takohet me komandantin amerikan, theksohet performanca e dalluar e ushtarëve të FSK-së në SHBA 8 orë më parë
Kosova Shea për Klankosova.tv: Konflikti Izrael–Iran mund ta lërë Kosovën jashtë vëmendjes ndërkombëtare 9 orë më parë