Ishte përfshirë në një incident gjatë një turneu, Mendurim Hoti s'është më futbollist i Prishtinës - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ishte përfshirë në një incident gjatë një turneu, Mendurim Hoti s’është më futbollist i Prishtinës

NULL NULL
nga Albert Bajrami 29/06/2022

Mendurim Hoti më nuk është lojtar i Prishtinës.

Kështu tha për Klankosova.tv drejtori sportiv i FC Prishtina, Arsim Osmani.

“Klubi i Futbollit ‘Prishtina’ ka marrë masa ndaj tij dhe mund të konsiderojmë se ai nuk është më lojtar i Prishtinës”, tha Osmani.

Osmani tha se ky nuk është incidenti i vetëm i Hotit.

“Ky s’është rasti i vetëm i tij. Ai më herët e ka pasur edhe një rast”, tha Osmani.

Të martën, gjatë zhvillimit të një turneu në futboll, ka ndodhur një incident mes pjesëmarrësve, ku ishte i përfshirë edhe Mendurim Hoti.

Për rastin kishte raportuar, gjatë ditës së djeshme, gazeta sportive OLLE, transmeton Klankosova.tv.

Por, a preferohet që futbollistët profesionistë të luajnë në një turne amator?

Trajneri i ‘FC Prishtina’, Ismet Munishi, i pyetur nga Klan Kosova, tha se futbollistëve të Prishtinës nuk u lejohet të luajnë në turne jozyrtare.

“Jo, futbollistëve të Prishtinës nuk u lejohet të luajnë në turne jozyrtare”, tha Munishi.

Njohësi i çështjeve të futbollit Ardian Llumnica, tha për Klankosova.tv se në turne të tilla futbollistët profesionistë mund të lëndohen e që më pas trajtimi bëhet i kushtueshëm.

Llumnica tha se nuk beson që klubet e superligës iu japin leje futbollistëve të luajnë në turne të tillë, ani se nuk ka ndonjë rregullore nga Federata e Futbollit të Kosovës, që e sanksionon një gjë të tillë.

“Rregullorja e garave nuk e precizon por e precizojnë rregulloret e brendshme të klubeve dhe më herët kemi pasur raste kur futbollistët për pjesëmarrje në një turne janë gjobitur nga vetë klubi. Madje nuk besoj që ka klub të superligës që një futbollist e paguan mijëra euro në muaj dhe i jep leje të luajë në turne të futbollit të vogël” tha Llumnica.

Ai theksoi se madje, në të kaluarën, futbollistë të spikatur ua kanë parë sherrin turneve të tillë.

“Turnetë e tillë, në të cilët luajnë futbollistët e superligës, janë të rrezikshëm për shëndetin e tyre. Në të kaluarën, shumë futbollistë të spikatur ua kanë parë sherrin turneve të tilla. Madje, ka pasur raste kur nga lëndimet në turne iu ka shuar karriera”, shtoi ai.

Më pas ka raste kur futbollistët lëndohen dhe më pas trajtimin e lëndimit e bëjnë në klub, që është i kushtueshëm.

Komisari i garave të Federatës së Futbollit të Kosovës, ndër të tjera, tha se futbollistët profesionistë marrin pjesë në turne të futbollit, por vetëm tek ato me karakter humanitar, social por jo rivaliteti.

E njëjtë mendon edhe trajneri i futbollit Granit Dervisholli.

Dervisholli tha për Klankosova.tv se ekipet nuk do të duhej ta lejonin që futbollistët e tyre të luajnë në turne.

Ai theksoi se lëndimi i futbollistëve mund të jetë fatal e mund të pasojë edhe shkëputja e kontratës.

Trajneri i cili posedon edhe licencën B të FIFA-s, shtoi se ekipet duhet ta rregullojnë këtë çështje edhe me kontratë.

“Pjesëmarrja e lojtarëve profesionistë nuk ishte dashur të lejohet duke marrë parasysh ngritjen e nivelit në futbollin tonë dhe në të njëjtën kohë ngritjen e të ardhurave financiare, por prapë krejt kjo varet nga kontratat, të cilat ata i kanë dhe normalisht klubet duhet ta cekin këtë pikë”, tha Dervisholli.

“Sa kam info nga FFK nuk ka sanksione, por duhet të ketë nga klubet nëse vetëm njëra ndër pikat në kontratë është moslejimi i lojtarit të caktuar në këto lloj evenimente. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që për lojtarët profesionistë këto evenimente mund të jenë fatale, me lëndime afatgjate e në rastin më të keq me shkëputje kontrate”, theksoi ai.