Arbërie Nagavci nuk e mendon dorëheqjen si opsion - thotë se nuk është koha për greva - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Arbërie Nagavci nuk e mendon dorëheqjen si opsion – thotë se nuk është koha për greva

NULL NULL
nga Nita Lleshi 1 month më parë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë që nuk e mendon dorëheqjen si opsion pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin thuhet se ajo ka shkelur Kushtetutën, lidhur me reformat në arsim në komunën e Kamenicës.

Nagavci në një intervistë për Klankosova.tv, ka thënë që me këtë vendim MASHT-i e ka përmbushur obligimin ligjor, për t’u siguruar fëmijëve të mbetur jashtë shkollës të drejtën për shkollim.

“Ne kemi marrë veprimet që janë të domosdoshme për të evituar humbjet e shkaktuara tek nxënësit, si pasojë e mos vijimin të mësimit. Për sa i përket aspektit kushtetues, norma kushtetuese është e qartë. Rreth 2 vite nxënësit e kanë humbur mësimin. Ka pasur shumë raste kur Gjykata ka shfuqizuar akte të ndryshme të Qeverisë. Është analoge me gjyqtarët e gjykatave tjera, se kur gjykata kushtetuese i shfuqizon vendimet e gjykatave tjera, asnjë nga gjyqtarët nuk jep dorëheqje ose nuk kërkohet me u shkarku”, ka thënë Nagavci.

Në lidhje me paralajmërimin e SBASHK-ut, ministrja Nagavci thotë për Klankosova.tv që beson nuk është koha për greva, pasi po punohet për përmirësimin e kushteve të punës për mësimdhënësit.

“Qeveria tashmë ka ndarë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët. Është duke u punuar në finalizimin e ligjit të pagave për reth 80 mijë zyrtarë publikë dhe po punojmë me kujdes në këtë drejtim. Po punojmë për përmirësimin e kushteve të punës , kemi ndarë buxhetin për mësimdhënës që kanë probleme shëndetësore. Po i përmirësojmë padrejtësitë ose lëshimet për pagesat në ligjin e kaluar për mësimdhënësit në mënyrë që ta rrisim dinjitetin e mësimdhënësit. Kemi mbajtur në sistem mësimdhënës që konsiderohen si tepricë teknologjike”, tha tutje Nagavci.

Sa i përket ndryshimeve në tekstet shkollore, Nagavci thotë që është finalizuar draft ligji i cili së shpejti do të dërgohet në Kuvend.

‘Ligji parasheh që duhet të rishikohen tekstet shkollore. Ligji do të shërbejë si bazë për të gjitha proceset tjera që do të zhvillohen në lidhje me tekstet shkollore dhe materialet mësimore”, tha ajo.

Nagavci tutje theksoi që edhe pse pandemia ka lënë pasoja të shumta në procesin mësimor, megjithatë sistemi arsimor tashmë i është kthyer normalitetit.

“Të gjitha institucionet arsimore zhvillojnë aktivitetet mësimore sipas plan programit me prezencë fizike. Tani kërkohet angazhim maksimal në të gjitha nivelet në arritjen e rezultateve të të nxënit nga ana e nxënësve dhe studentëve”, tha ajo.

Lexoni më poshtë intervistën e plotë të ministres Nagavci për Klankosova.tv.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ankesën e ish kryetarit të Kamenicës, sa i përket reformave të arsimit në këtë komunë thotë se e keni shkelur Kushtetutën. Por, a qëndrojnë këto akuza sipas jush?

Arbërie Nagavci: Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me Aktgjykimin KO145/21, që është rezultat i parashtresës së Komunës së Kamenicës, në të cilin është kontestuar Vendimi 01B/24 i MAShTI-it “Për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”. Vendimi 01B/24 është marrë më 23 prill 2021, me qëllim që t’u mundësohet nxënësve të pesë vendbanimeve të Komunës së Kamenicës kompensimi i pjesshëm i orëve të humbura, si rezultat i mosvijimit të mësimit prej fillimit të vitit shkollor 2020/21. 441 nxënës të moshës 6-14 vjeç nuk e kanë vijuar mësimin për 8 muaj, e më shumë se 100 prej tyre nuk kanë vijuar mësimin për rreth dy vite.

Prandaj, me këtë vendim, MAShTI ka konsideruar përmbushjen e obligimin ligjor për t’iu siguruar fëmijëve të mbetur jashtë shkollës të drejtën për shkollim, duke konsideruar se mbrojtja e interesit të fëmijëve bën pjesë në kategorinë e obligimeve parësore. Situata e krijuar që nga korriku 2021 dhe në vijim, është plotësisht në përputhje me përcaktimin e Aktgjykimit në fjalë, prandaj MAShTI-i nuk ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tillë. MAShTI-i konsideron që Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të jurisdiksionit të saj) të gjendjes së krijuar. Ne respektojmë Aktgjykimin. Megjithatë, siç është e vërejtshme edhe në vet dispozitivin e Aktgjykimit në fjalë, aty vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021. Një fakt i tillë është tregues që Aktgjykimi KO145/21 nuk përcakton asnjë mospërputhje kushtetuese që ekziston aktualisht, apo të tillë që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike. Pas një analize të të gjeturave të Aktgjykimit, MAShTI-i vëren që ky i fundit e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të MAShTI-it sa i përket përputhshmërisë së tij me parimet e vetëqeverisjes lokale, vlerësim ky i natyrës kryesisht formale, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së jurisdiksionit në rastin konkret, nuk e ka vlerësuar aspektin e përputhshmërisë së Vendimit 01B/24 me të drejtën në arsim të garantuar me Nenin 47 të Kushtetutës (ndërlidhur me Nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Një konstatim të tillë e bën vet Gjykata në paragrafin 126 të Aktgjykimit në fjalë. Rrjedhimisht, vlerësojmë se Aktgjykimi është i kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale të Vendimit të kontestuar, e jo aspekteve përmbajtësore të ndërlidhura me të drejtën e fëmijëve në arsim sa i përket ofrimit të detyrueshëm të shkollimit fillor për secilin nxënës në mënyrë të barabartë.

Prandaj, vendimi 01B/24 nga MAShTI-i, ishte ndërmarrë me qëllim të përmbushjes së obligimeve pozitive të shtetit të Kosovës sa i përket të drejtave të fëmijëve në Komunën e Kamenicës në raport me ofrimin e shërbimit të mësimit fillor për nxënësit që kishin mbetur për më shumë se dy vite pa mundësinë e ndjekjes së shkollimit publik. Ne kemi përmbushur një obligim për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim. MAShTI-i nuk mund të mos e përmbushte një obligim të tillë pavarësisht faktit që ai mund t’i nënshtrohej kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Pas balancimit të të drejtave dhe detyrimeve të subjekteve të përfshira, mbrojtja e interesit të fëmijëve hyn në kategorinë e obligimeve parësore ligjore. Edhe Avokati i Popullit, më 19 gusht 2020, kishte lëshuar Raport me të cilin ka rekomanduar kryetarin e atëhershëm të Komunës së Kamenicës, dhe ministrin e atëhershëm të Arsimit, të rivlerësojë Vendimin 02 Nr. 26397, datë 30.08.2019, ashtu që riorganizimi i shkollave të bëhet në mbështetje të plotë me dispozitat ligjore dhe në bashkëpunim me MASh-in.

Raporti i është drejtuar edhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Ginore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Aty konstatohet se moszhvillimi i procesit mësimor në shkollat e Kamenicës përbënte shkelje të së drejtës për shkollim e përcaktuar me nenin 47 të Kushtetutës. Vendimet e nxjerra janë në kundërshtim me legjislacionin dhe standardet ligjore, është rrezikuar shëndeti i fëmijëve dhe në kundërshtim me interesin më të mirë të tyre, është zhvilluar si proces pa pasur konsultim të plotë me palët e përfshira në proces.

Avokati i Popullit ka konstatuar se sistemi arsimor duhet të jetë i njëjtë në të gjitha komunat, prandaj organizimi i sistemit arsimor mund të bëhet vetëm nga MAShTI dhe në tërë territorin e Kosovës. Shteti, përkatësisht Republika e Kosovës ka detyrim kushtetues për të garantuar të drejtën në arsim. Pra, jo vetëm për të garantuar këtë të drejtë me Kushtetutë por edhe për të marrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për realizimin praktik të asaj të drejte themelore. Ky obligim i takon edhe komunave edhe Qeverisë, gjegjësisht MASHT-it.

A e mendoni dorëheqjen si opsion?

Arbërie Nagavci: Ne kemi marrë veprimet që janë të domosdoshme për të evituar humbjet e shkaktuara tek nxënësit, si pasojë e mos vijimin të mësimit. Për sa i përket aspektit kushtetues, norma kushtetuese është e qartë. Rreth 2 vite nxënësit e kanë humbur mësimin. Ka pasur shumë raste kur Gjykata ka shfuqizuar akte të ndryshme të Qeverisë. Është analoge me gjyqtarët e gjykatave tjera, se kur gjykata kushtetuese I shfuqizon vendimet e gjykatave tjera, asnjë nga gjyqtarët nuk jep dorëheqje ose nuk kërkohet me u shkarku.

Keni deklaruar se 1600 mësimdhënës kanë dalë tepricë teknologjike në arsim dhe për të mos i lënë pa punë i janë bërë vende, ku janë sistemuar ata?

Arbërie Nagavci: Për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve në vitin 2023 kemi reth 2000 mësimdhënës tepricë teknologjike. Kjo formulë nxjerr si tepricë teknologjike rreth 2000 mësimdhënës. Kjo nuk nënkupton se ata nuk janë të angazhuar në sistem arsimor. Për këtë ne kemi planifikuar politika të reja sepse dallon shumë situata nga komuna në komunë dhe po punojmë në rifunksionalizimin e rrjetit të shkollave dhe implementimin e politikave të reja siq janë orët e kujdestarisë dhe aktivave profesionale në bashkëpunim me komunat, që e zbusin këtë numër.

Si e shihni paralajmërimin e SBASHK-ut për grevë dhe pakënaqësitë e tyre në lidhje me shtesën prej 100 eurosh?

Arbërie Nagavci: Ne besojmë se nuk është koha për greva. Qeveria tashmë ka ndarë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët. Është duke u punuar në finalizimin e ligjit të pagave për reth 80 mijë zyrtarë publikë dhe po punojmë me kujdes në këtë drejtim. Po punojmë për përmirësimin e kushteve të punës , kemi ndarë buxhetin për mësimdhënës që kanë probleme shëndetësore. Po i përmirësojmë padrejtësitë ose lëshimet për pagesat në ligjin e kaluar për mësimdhënësit në mënyrë që ta rrisim dinjitetin e mësimdhënësit. Kemi mbajtur në sistem mësimdhënës që konsiderohen si tepricë teknologjike.

Së fundmi u zhvillua një protestë ku një numër i madh i të rinjve kërkuan kushte më të mira në shkolla. Cila është strategjia juaj, çka planifikoni të bëni?

Arbërie Nagavci: Po punojmë në të gjitha drejtimet që t`a përmirësojnë cilësinë në arsim. Kemi dhënë subvencione për nxënës e studentë. Po punohet me intensitet në sistemin e licencimit dhe avancimit në karrierë për mësimdhënës dhe aspekte tjera që drejtpërdrejt ndikojnë në punën e mësimdhënësit. Ashtu siç edhe e ka theksuar shpesh herë ministrja Nagavci, puna dhe angazhimi ynë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos përkushtimit kërkon kohë dhe durim. Megjithatë për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor. Është rritur e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022. Kemi përmirësuar praktikën profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike. Themeluam pesë Qendra të Karrierës, tri të tjera janë në proces. Planifikojmë që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh. Ndamë 30 mijë euro për projekte shkencore. 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta dhe ndamë 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara. Por problemet që kemi trashëguar janë të mëdha e sfidat të cilat i kemi përpara janë edhe më të mëdha.

A janë sanuar pasojat që i ka lënë pandemia në sistemin e arsimit si orët e humbura të mësimit dhe cilat janë efektet që ka pasë në përgjithësi në arsim?

Arbërie Nagavci: Pandemia ka lenë pasoja të shumta në procesin mësimor. Megjithatë, tashmë sistemi arsimor i është rikthyer normalitet. Të gjitha institucionet arsimore zhvillojnë aktivitetet mësimore sipas planprogramit me prezencë fizike. Tani kërkohet angazhim maksimal në të gjitha nivelet në arritjen e rezultateve të të nxënit nga ana e nxënësve dhe studentëve.

A do të ketë sërish ndryshime në tekstet shkollore, a e shihni të nevojshme?

Arbërie Nagavci: E kemi finalizuar draft ligjin për tekste shkollore i cili shpejtë do të dalë në konsultim publik dhe pastaj do ta dërgojmë në Kuvend. Ligji parasheh që duhet të rishikohen tekstet shkollore. Ligji do të shërbejë si bazë për të gjitha proceset tjera që do të zhvillohen në lidhje me tekstet shkollore dhe materialet mësimore.