IML: Mbetjet mortore në Kalludër janë të njerëzve, puna do të vazhdojë NULL NULL 28.07.2026 20:55 28.07.2026 20:55 Disa mbetje mortore të gjetura në fshatin Kalludër i Vogël të komunës së Zubin Potokut janë konfirmuar paraprakisht si me origjinë njerëzore dhe me interes mjeko-ligjor. Kështu bëri të ditur mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, pas vlerësimit fillestar të ekipit në terren. Haliti tha për KosovaPress se ekipet kanë dalë në lokacion me urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të vlerësuar origjinën e mbetjeve mortore dhe interesin e tyre forenzik, transmeton Klankosova.tv. “Po, sot jemi këtu me urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të bërë një vlerësim në lokacion këtu në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur disa pjesë kockore, për të cilat jemi thirrur ne si ekip i Institutit të Mjekësisë Ligjore që të bëjmë vlerësimin e origjinës së pari të këtyre mbetjeve mortore dhe interesit forenzik. Kështu që qëllimi i daljes së sotme ka qenë vlerësimi në këtë aspekt, që të vlerësojmë së pari se a kemi të bëjmë me mbetje mortore që janë me origjinë njerëzore dhe, së dyti, se a janë me interes mjeko-ligjor. Kështu që sot, siç na keni parë, ne kemi dalë këtu së bashku me të gjitha ekipet, edhe me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Sektorin për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës, komponentën e EULEX-it, e cila është në kuadër të IML-së, ku kemi filluar punën për ta bërë këtë vlerësim. Sipas vlerësimeve preliminare mund të konfirmojmë se mbetjet janë me origjinë njerëzore dhe se janë me interes mjeko-ligjor. Për momentin e kemi siguruar vendin e ngjarjes dhe, për shkak të kompleksitetit të vendit të ngjarjes, siç po e shihni është terren malor, qasja është pak më komplekse. Kemi vendosur që tash të fokusohemi në përgatitje sa më të mirë për qasje në terren, në mënyrë që ta realizojmë gërmimin sa më profesionalisht. Kështu që krejt çka mund të konfirmojmë është se janë me interes mjeko-ligjor, janë me origjinë njerëzore dhe ditëve në vijim punimet do të vazhdojnë”, tha Haliti transmeton Klankosova.tv. Dyshimet për varrezë masive në Zubin Potok, Gara: Detajet pas përfundimit të ekzaminimeve