IHMK: Rrjedhat e lumenjve në Kosovë nën mesatare NULL NULL 26.06.2025 09:00 26.06.2025 09:00 Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka ngritur alarmin për nivelin shqetësues të ulët të rrjedhave ujore në lumenjtë e vendit, për shkak të mungesës së reshjeve gjatë pranverës dhe mungesës së borës në dimër. Situata është më e rënduar në pellgun e Drinit të Bardhë, me fokus të veçantë te lumi Bistrica e Pejës. Sipas matjeve më të fundit të rrjetit shtetëror hidrometrik, lumenjtë në Kosovë po shënojnë rrjedha dukshëm më të ulëta se mesatarja shumëvjeçare. Reshjet që kanë ndodhur deri tani, kanë qenë të karakterit lokal dhe rrëbeshi, duke mos pasur ndikim të qëndrueshëm në mbushjen e burimeve ujore, transmeton Klankosova.tv. Bistrica e Pejës, një prej degëve më të rëndësishme të Drinit të Bardhë, me një nën-pellg prej 500 km² (11.5% e sipërfaqes së përgjithshme të pellgut dhe 13.7% të rrjedhës së tij), po përjeton një rënie të theksuar të prurjeve. Sipas statistikave historike (1963–2009), prurja mesatare e këtij lumi në muajin maj ka qenë 17.5 metra kub për sekondë, ndërsa në qershor 7.5 m³/s. Megjithatë, në pesë vitet e fundit (2021–2025), kjo prurje ka rënë ndjeshëm. Vetëm gjatë qershorit të këtij viti, prurja ka qenë 2.5 m³/s – ndërsa mesatarja e pesë viteve të fundit është 4.8 m³/s, që përfaqëson një rënie prej 56.3% në krahasim me mesataren historike. IHMK paralajmëron se kjo situatë mund të çojë në pasoja të rënda gjatë muajve të verës: kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm, ndikime në bujqësi, prodhimin e energjisë nga hidrocentralet dhe sektorë të tjerë jetikë. Për më tepër, rënia e niveleve të ujërave nëntokësore në akuifere është një tjetër rrezik që mund të përkeqësohet nëse mungesa e reshjeve vazhdon. Duke marrë parasysh këtë situatë, Instituti bën thirrje për monitorim të vazhdueshëm të burimeve ujore dhe planifikim të kujdesshëm të përdorimit të tyre. Zyrtarët e IHMK-së theksojnë nevojën për strategji parandaluese dhe bashkëpunim institucional, për të zbutur efektet e mundshme të një krize hidrologjike gjatë verës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.