Shkrimtari kolumbian Gabriel Garcia Marquez pati një vajzë sekrete meksikane NULL NULL 18.01.2022 16:52 18.01.2022 16:52 THR shkruan se gazeta kolumbiane El Universal zbuloi që shkrimtari i ‘Njëqind vjet vetmi’ kishte një fëmijë të fshehtë me një gazetare meksikane, me të cilën pati lidhje dashurie në fillim të viteve 1990. Gabriel jetoi në Mexico City për pjesën më të madhe të jetës me gruan e tij, Mercedes Barcha, dhe dy fëmijët e tyre, Rodrigo dhe Gonzalo. Autori u nda nga jeta në vitin 2014. El Universal shkruan se në fillim të viteve 1990, atij i erdhi në jetë një vajzë me shkrimtaren dhe gazetaren Susana Cato. Dyshja punoi së bashku në dy skenarë filmash dhe ajo gjithashtu e intervistoi atë për një shkrim reviste më 1996. Vajza e tyre, Indira, tani është në fillim të të 30-ave dhe përdor mbiemrin e nënës së saj. Mbesa e Gabrielit, Shani Garcia Marquez, i tha AP-së se ajo ishte në dijeni të kushërirës së saj Indira prej vitesh, por nuk e kishte bërë asgjë publike, sepse prindërit e saj i kërkuan që të qëndronte e heshtur në lidhje me jetën personale të xhaxhait të saj. Nipi i autorit, Gabriel Eligio Torres Garcia, shtoi se ai kishte qenë në kontakt me Indirën përmes rrjeteve sociale, por nuk e kishte takuar kurrë personalisht. “Kushërinjtë e mi, Rodrigo dhe Gonzalo, më treguan për të rastësisht gjatë një ribashkimi”, deklaroi ai. Anëtarë të tjerë të familjes së shkrimtarit i thanë El Universal-it se nuk kishin diskutuar publikisht për Indirën për shkak të respektit për Mercedes Barcha, e cila vdiq në gusht të vitit 2020. Indira aktualisht punon si producente e dokumentarëve në Mexico City. “Ajo udhëheq një mënyrë jetese shumë artistike, si shumë njerëz në këtë familje. Na bën shumë të lumtur që ajo shkëlqeu vetë”, tha Shani Garcia.