16:24, 5 Korrik 2020

Greqia mbyll nga nesër në orën gjashtë të mëngjesit, kufijtë për të gjithë qytetarët e Serbisë.

Greqia ka vendosur që të mbyllë nga ora 06.00 sipas orës lokale, kufirin për të gjithë shtetasit serbë që duan të hyjnë në territorin grek, pavarësisht pikës kufitare që ata do të zgjedhin.

Lajmin e bëri publik zëdhënësja e qeverisë greke,e cila deklaroi se vendimi u mor mbas shtimit drastik të të prekurve me Covid-19.

Masa e pezullimit të përkohshëm do të jetë në fuqi deri në datën 15 korrik, datë në të cilën pritet të vendoset edhe hapja ose jo e kufirit me vendet e tjera fqinje të Greqisë, siç është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas zonjës Peloni, Greqia ruan të drejtën të përshtasë politikat e saj sipas përshkallëzimit të situatës. Në çdo rast ka thënë ajo, Greqia mbetet vend mikpritës dhe tepër i sigurt për turistët që dëshirojnë të kalojnë pushimet në vend.

Po ashtu edhe ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka deklaruar tek agjencia e lajmeve Tanjug se nga nesër në orën gjashtë të mëngjesit Greqia do të mbyllë kufijtë e saj për qytetarët e Serbisë.

“Zyra e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar ambasadën serbe në Athinë se Greqia do të mbyllë kufijtë e saj për qytetarët serbë nga nesër, përveç rasteve të jashtëzakonshme ku do të ketë një leje të veçantë,” ka thënë Ivica Daçiç për agjencinë serbe të lajmeve.

Ministri i Jashtëm serb u bëri thirrje qytetarëve që planifikuan të udhëtojnë në Greqi që ta anulojnë vendimin e tyre për të shmangur më pas vajtjen deri në kufirin e Greqisë me Bullgarinë, në Promahona dhe kthimin e tyre pas./tch

Konkurs Pune

Lexo më shumë