Hekuran Sokoli vjen me ekspozitë të re, kthehet aty ku përket – “në gjuhën vizuale” NULL NULL 12.04.2025 12:58 12.04.2025 12:58 Mënyrë e Vjetër, Perspektiva të Reja. Këtë titull mban ekspozita e radhës e piktorit kosovar, Hekuran Sokoli e cila u hap dje në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Kuratorja e kësaj ekspozite, Zake Prelvukaj gjen filozofi e matematikë në këto vepra sokoliane, në të cilat, sipas saj, në sytë e vështruesve të pikturave ndodhet fuqia e zbërthimit të (in)ekzistencës përmes “numrave kubikë të ndërlidhur e të shthurur”. “Shpesh e kërkojmë veten në ambiente të ndryshme, duke u përpjekur të ndjehemi të lirë në kuptimin e jetesës. Megjithatë, ky tranzicion marramendës teknologjik na sjell një ndjeshmëri të re ndaj botës që na rrethon—duke na ofruar mundësi për krijimin konceptual të artistit”, shkruan Prelvukaj. “Hekuran Sokoli, përmes ngjyrave intensive dhe vizatimit fugal, krijon një hapësirë të re, ku guximshëm luan me vija, duke u dhënë rolin e mbrojtësit kolorit. Në këto piktura ka filozofi dhe matematikë pa barazim, duke i lënë shikuesit mundësinë për të zbërthyer ekzistencën ose inekzistencën përmes numrave kubikë të ndërlidhur e të shthurur”. “Ngjyrat janë shpirtërore, të shkrira dhe të ndjeshme. Në momente të caktuara, ato bëhen muzikë, film, këngë, instrument—një prezantim artistik për t’u lexuar sipas perceptimit të publikut”. Prelvukaj i quan tërheqëse konceptet e Sokolit, pasi që ato nuk lexohen përmes shkronjave por përmes objekteve miniaturale dhe masive, që sipas saj, “na ftojnë për të kuptuar gjuhën vizuale të formuar nga katrorë dhe kube”. “Artisti kërkon diçka futuriste, ku imagjinata i takon vetëm atij, i cili e sjell më pranë nesh. Konceptet e tij janë tërheqëse—ato nuk lexohen përmes shkronjave, por përmes objekteve miniaturale dhe masive, të cilat ngjallin disponim dhe kureshtje, duke na ftuar të kuptojmë, apo jo, gjuhën vizuale të formuar nga katrorë dhe kube. Kjo të shtyn të mendosh: Cilit nga këto objekte i përkasim ne?” “Ekzistente është kur e ndien dhe e plason një vepër artistike pa e kërkuar lejen e inteligjencës artificiale. Artisti e zbërthen imagjinatën dhe krijon duke përcjellë mesazhe intriguese për kuptimin ose moskuptimin e këtij alfabeti abstrakt—si një udhërrëfyes i së ardhmes”, përfundon ajo.