Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Haziri: Asociacioni me kompetenca ekzekutive i patolerueshëm

NULL NULL
25.08.2015 14:12

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kërkesa e Serbisë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është kërkesë e vjetër dhe diçka të tillë pala serbe ka kërkuar që nga koha e UNMIK-ut, kur kryeadiministrator ishte Mihail Steiner.

Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se “Asociacion i Komunave prej veriut në Leposaviç e deri në Dheun e Bardhë në Kamenicë, është jashtëzakonisht problematik në kuptimin zhvillimor, në kuptimin e planifikimit hapësinor dhe në kuptimin e funksionalitetit të shtetit”.

Haziri ka deklaruar gjithashtu se për Asociacionin është dokumentuar qysh moti se nuk mund të jetë i tolerueshëm brenda Kornizës Kushtetuese të Kosovës dhe territorit të Republikës së Kosovës.

Kjo për arsye se krijon probleme në vendosjen e pushtetit të tretë në Kosovë.

“Prandaj edhe sot arsyet janë të njëjta, faktet janë të njëjta dhe besojmë shumë që nuk do të ndryshohet ky qëndrim i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Shkrimi i plotë i Lutfi Hazirit: 

Është koha që të përmbyllet tema e të ashtuquajturit Asociacion i Komunave me shumicë Serbe, të cilën serbët është hera e tretë që e qesin në tavolinën e bisedimeve që nga koha e UNMIK-ut dhe ish-kryeadministratorit Mihail Steiner, bisedimet e Vjenës dhe tash në Bruksel. Nëntë vite pas bisedimeve të vështira të Vjenës për status final, ku decentralizimi ishte njëra nga shtyllat kryesore të procesit, kërkesa themelore dhe kryesore e delegacionit serb ka qenë i ashtuquajturi Asociacioni i Komunave Serbe me të drejta ekzekutive, të cilin kemi arritur ta faktojmë që nuk mund të jetë i tolerueshëm brenda Kornizës Kushtetuese të Kosovës dhe territorit të Republikës së Kosovës për arsye se krijon probleme në vendosjen e pushtetit të tretë në Kosovë, që çon drejt një autonomie territoriale dhe politike për qytetarët që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës, e që është definuar si pjesa veriore e Mitrovicës së Kosovës ku hyjnë edhe disa Komuna të tjera. Problemi i dytë është që ky korridor lidhet me korridore të komunave që janë me shumicë serbe, e që depërton përmes brendësisë së Kosovës në Juglindje të Kosovës dhe lidhet territorialisht me Serbinë. Krijimi i një korridori territorial që kontrollohet me të drejta ekzekutive nga i ashtuquajturi Asociacion i Komunave prej veriut në Leposavic e deri në Dheun e Bardhë në Kamenicë, është jashtëzakonisht problematik në kuptimin zhvillimor, në kuptimin e planifikimit hapësinor dhe në kuptimin e funksionalitetit të shtetit. Edhe sot arsyet janë të njëjta, faktet janë të njëjta dhe besojmë shumë që nuk do të ndryshohet ky qëndrim i Republikës së Kosovës! LH

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.