Haradinaj thotë se KFOR-it nuk mund t’i vendosen afate e kushte (VIDEO) NULL NULL nga Agnesa Sahiti 27.12.2022 20:12 nga Agnesa Sahiti 27.12.2022 20:12 Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po thotë se barrikadat në veri duhet të hiqen, veçse jo duke kushtëzuar KFOR-in. Ai në një konferencë për media të martën, deklaroi se institucionet e vendit nuk mund t’i vendosin afate misionit të NATO-s, duke i fajësuar se po bëjnë veprime të pamatura, njofton Klan Kosova. “Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR në Kosovë, nuk është palë, prandaj nuk mund të konsiderohet si i tillë. Nuk mund t’i vendoset kurrfarë afatesh apo kushtesh KFOR-it. Misioni i tyre në Kosovë është i qartë dhe i pastër si loti. Palë në Kosovë nuk janë as Uashingtoni e as Brukseli, at janë aleatë të paqes e të sigurisë në Kosovë dhe kryeministri duhet të heqë dorë nga retorika kundërshtuese e kërcënuese ndaj tyre”, tha Haradinaj. I pari i AAK-së pati një kërkesë edhe për serbët e Kosovës. “Mos të bien pre e kalkulimeve politike të askujt e as të Vuçiqit. Barrikadat sot janë vetëm interes i Putinit dhe jo i serbëve apo shqiptarëve”, u shpreh tutje ai. Lideri opozitar thotë se situata në pjesën më veriore të vendit po bëhet gjithnjë e më serioze dhe e komplikuar. Derisa deklaroi se, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, duhet urgjentisht t’i tërheqë njerëzit e tij nga veriu dhe të urdhërojë heqjen e barrikadave. Mbrëmjen e së hënës janë vendosur edhe dy bllokada të reja në veriun e Mitrovicës, derisa numri total i tyre ka shkuar në 13.