Haradinaj, Rrahman Ramës: Nëse mendon që është zor me e mbajtë Ushtrinë, mund të gjendet ndonjë zëvendësim NULL NULL 12.02.2019 15:32 12.02.2019 15:32 Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama nuk duhet të jetë subjekt në media. Ai iu ka referuar kështu rrjedhjes së informacioneve në media për anulimin e vizitës së gjeneralit amerikan Timothy Orr në Kosovë. “Gjeneralin Rrahman Rama e respektoj dhe e kam koleg, por tash ai duhet ta dijë që është komandant i Ushtrisë. Sa më pak që bëhet subjekt i mediave, aq më mirë është për të dhe Ushtrinë”. Madje Haradinaj ka thënë se nëse [Rrahman] Rama mendon se e ka të vështirë ta udhëheqë Ushtrinë mund të ketë zëvendësim për të. “Nëse ai mendon që është zor me e mbajtë Ushtrinë mund të ketë ndonjë djalë të ri ose vajzë të re që mendon se nuk është aq zor me e udhëheqë Ushtrinë”. “Nuk ka arsye komandanti të dalë shpesh në media. Ministria dhe Ushtria e tij ka zëdhënës, komandanti le të punojë”. “Kemi shumë komunikim konfidencial – anulohen ose shpeshtohen vizita – janë procese të jetës sonë”. Haradinaj në konferencë për media ka thënë se i siguron të gjithë ata që mendojnë se ruhet miqësia duke vepruar kështu janë duke e dëmtuar miqësinë, njofton Klan Kosova. “Ne jemi të njëjtit që donim ta shfuqizonim Ligjin për Gjykatën Speciale – nuk mërziteshin fare për miqësinë me Amerikën në atë kohë edhe pse Amerika thoshte ‘ju lutem, mosni’”. “Logjika se duhet ta rrisim presionin mbi Qeverinë e vendit të vet me heq taksa me alarmim që e bëjnë këtë do t’iu kthehet keq këtyre njerëzve”. “Unë ushtroj funksionet e mia në bazë të Kushtetutës së vendit dhe do të rri brenda Kushtetutës së vendit. Kjo është detyra ime dhe do të rrijë në të”. Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, kishte njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre se Qeveria amerikane kishte marrë vendim që të anulojë vizitën e gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr, në Kosovë.