Hamza mbledh deputetët e PDK-së: Kosova ka nevojë për institucione, jo për pushtet që zvarrit proceset NULL NULL 14.07.2026 17:00 14.07.2026 17:00 Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, zhvilloi sot një takim me deputetët e zgjedhur të PDK-së, ku u diskutua për situatën aktuale politike dhe domosdoshmërinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja. Në takim u vlerësua se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve duhet të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme. Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se vazhdimi i bllokadës institucionale nga ana e partisë në pushtet, pas një periudhe të gjatë pasigurie politike dhe zgjedhjesh të njëpasnjëshme, vetëm sa e thellon krizën dhe siç thuhet, e pengon zhvillimin ekonomik dhe dëmton interesin e qytetarëve dhe të shtetit. Deputetët e zgjedhur të PDK-së ritheksuan se Kosovës i duhen institucione të afta për t’u përballur me sfidat me të cilat përballet vendi, duke u fokusuar në prioritetet e qytetarëve: zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, forcimin e shtetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. “Partia Demokratike e Kosovës i kërkon subjektit politik që ka dalë i pari në zgjedhje të marrë pa vonesë përgjegjësinë kushtetuese dhe politike që i takon për zhbllokimin e procesit të krijimit të institucioneve. Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik, institucione funksionale dhe vendimmarrje që u përgjigjet pritjeve të qytetarëve, jo për zvarritje të proceseve që dëmtojnë interesin publik dhe të ardhmen e vendit”, thuhet në komunikatë./Klankosova.tv