Haliti: Kosova më shumë është Republikë Qeveritare, pati pazare politike për zgjedhjen e presidentit

Haliti: Kosova më shumë është Republikë Qeveritare, pati pazare politike për zgjedhjen e presidentit

NULL NULL
6 days më parë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se e respekton Lëvizjen Vetëvendosje si shumicë parlamentare.

Mirëpo sipas Halitit nga Republikë Parlamentare vendi dhe disa shtete tjera të rajonit, janë shndërruar në Republikë Qeveritare, njofton Klan Kosova.

”Qeveritë, ministrat, kryeministrat gjithmonë në raport me Kuvendin kanë qenë të papërgjegjshëm në tërësi dhe unë kisha me thënë se Kosova dhe disa vende të rajonit nuk janë tërësisht Republika Parlamentare por janë më shumë Republika Qeveritare”.

Haliti në Info Magazine foli edhe për Lëvizjen Vetëvendosje që ka shumicën parlamentare teksa tregoi edhe vështirësitë që mund t’i kenë.

”Qeveria vendos për të gjitha çështjet dhe kur ka nevojë reagon në Kuvend që t’i bëjë votat për të votuar ndonjë ligj ose rezolutë e cila është e porositur ndoshta për qëllime të caktuara”, tha Haliti.

”Ata i kanë 59 deputetë dhe unë i respektojë atë shumicë pasi është partia që ka fituar shumë vota dhe ka pothuajse 50 për qind të votave dhe nuk e ka problem për të kaluar të gjitha ligjet ose çështjet që kanë të bëjnë me shumicën e votave në Parlament ashtu siç e kemi pasur edhe ne si koalicion dikur. Por, e shoh problematike pamundësinë për të ndryshuar Kushtetutën me këtë numër votash që kanë dhe kanë po ashtu pamundësi për të votuar disa ligje dhe çështje të cilat kërkojnë 2/3 e votave”.

Deputeti mes tjerash tregoi që e mbështet ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.

”Diasporës duhet bërë më e lehtë mënyra e votimi. Diaspora e ka kontributin e vet në luftë dhe financimin e luftës dhe ndihmën financiare pas luftës dhe për këtë duhet të gjejmë mënyra më të lehta që diaspora të votojë”.

”110 deputetë nga secila listë nuk kanë emra por kanë numra dhe komisionerët në qendra votimi janë shndërruar në një problem. Tani duhet parë se si është mënyra më e shpejt për të sanuar këtë pamundësi për të qenë të sigurt në rezultatin e zgjedhjeve”.

”Ka ardhur koha të ndryshojmë ligjin dhe në qoftë se i bëjmë katër zona votimi atëherë do të kishte mundësi pak më mirë me ndodh numri i votimeve dhe të jetë transparent dhe të jetë me teknologji të veçantë me monitor që përcillen nga vëzhguesit, gazetarët dhe shoqëritë civile të cilët e shohin mënyrën e numërimit”, është shprehur Haliti.

Tutje Haliti tha se ka pasur pazare politike për zgjedhjen e presidentit, teksa foli edhe për kalimin e ish-deputetes Adelina Grainca nga PDK-ja në VV.

”Kjo është praktika e partive për të gjetur njerëz me influencë që grumbullojnë vota. Ne jemi takuar në Grupin Parlamentar dhe nuk ka folur asgjë rreth kësaj çështje, kemi qenë në seancë bashkë dhe nuk kemi biseduar diçka për këtë çështje. Unë nuk i di arsyet dhe përmes cilit mekanizëm ka marrë vendimin”.

”Çfarë ka mundur të sheh ajo [Adelina Grainca] nga PDK kur veçse ka filluar të ketë përkrahje, çfarë të sheh PDK-ja në të? Ne jemi të gjithë në të njëjtin pozicion dhe të gjithë jemi deputetë – jemi në opozitë dhe duke qenë të tillë ne s’kemi asnjë lloj mundësie tjetër përveç se me i dhënë mundësinë të flas dhe me hy në betejën politike të opozitarizmit sepse nuk kemi pasur ndonjë fuqi me bë ministër askënd”.

”Në gjithë botën bëhet pazare politike në kushtet kur duhet krijuar qeveri. Në rast se nuk i fiton votat atëherë duhet bërë pazar me një parti tjetër”.

”Po besoj që po, ka pasur pazare në kuptimi e marrëveshjes me siguri mes partive politike”, tha Haliti.

Mes tjerash Haliti tha se është më mirë që është krijuar qeveria dhe zgjedhur presidentja sesa vendi të shkonte sërish në zgjedhje.