Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Hajrulla Çeku e mbush bordin e Teatrit me militantë

NULL NULL
11.06.2025 22:38

I betuar si deputet i legjislaturës së 9, Hajrulla Çeku, po vazhdon të emërojë, nënshkruajë vendime, e ta kryejë punën e tij edhe si ministër në detyrë i Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Ai nuk e ka fare problem që mandati i tij si ministër ka përfunduar.

Së fundmi, Çeku ka emëruar Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

MAT ka siguruar vendimin që mban datën 07 Maj 2025 ku nga 7 të emëruar, 5 prej tyre kanë lidhje direkte me Vetëvendosjen, subjektin politik prej nga vjen Hajrulla Çeku.

Vendimi në hyrje specifikon se është marrë nga ministri në detyrë, Hajrulla Çeku.

Por aty ku është nënshkrimi dhe vula, figuron vetëm fjala “ministër”.

Pra, Hajrulla Çeku paradite deputet, e pasdite ministër.

Në mesin e të emëruarve në Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtarë, disa kishin qenë edhe më parë si anëtarë të këtij Këshilli.

Rajmonda Ahmetaj, qysh në rini kishte nisur aktivitetin e saj në organizatën studentore SKV, që është si degë e Vetëvendosjes në Universitetin e Prishtinës.

Rajmonda kishte qenë edhe pjesë e garës së Vetëvendosjes në Deçan.

Madje, kandidati për kryetar të Deçanit, Orges Tafilaj, e planifikonte Rajmonda Ahmetajn për drejtoreshë të Kulturës, nëse do t’i fitonte zgjedhjet.

Një emër tjetër që është emëruar në këtë Këshill, është edhe Visare Aliu.

E njëjta, edhe pse nuk verifikohet nëse ka pasur ndonjë pozitë në Vetëvendosje, në rrjete sociale shfaqet në mbështetje të partisë së Albin Kurtit.

Më 8 shkurt, një ditë para zgjedhjeve, Visare Aliu shkruante në rrjete sociale, duke falënderuar “500K herë”, sloganin e njohur të Vetëvendosjes.

Edhe në postime të shumta, ajo shihet që ka shpërndarë postime të Albin Kurtit e Hajrulla Çekut.

Një tjetër Aliu do të jetë pjesë e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar.

Fjala është për Shkurte Aliun, e cila për dallim prej Visares, kishte qenë zyrtarisht pjesë e Vetëvendosjes.

Ajo kishte qenë kandidate për deputete në zgjedhjet e vitit 2017.

Shkurte Aliu është motra e ish-deputetit të VV-së, Luan Aliu.

E njëjta, ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar në vitin 2021, me të ardhur në krye të ministrisë Hajrulla Çeku.

E një tjetër e emëruar nga Çeku në këtë Këshill, është aktorja Vlora Merovcin, e njohur si “Alma” në serialin “Familjen Moderne”.

Merovci gjatë fushatës elektorale ka moderuar tubimet e vetëvendosjes. Në tubimet e mëdha të kësaj partie nëpër komuna, e para që iu fliste përkrahësve të partisë së Kurtit, ishte  Vlora Merovci.

Si përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë Këshill, është emëruar Donika Gashi.

Edhe kjo, kishte aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2018. Për të, kishte njoftuar vetë Albin Kurti.

Veç këtyre pesë emrave, në këtë Këshill Drejtues janë emëruar edhe Gresa Pallaska dhe Molikë Maxhuni. Pra, nga shtatë emra, pesë dalin të jenë me ndërlidhje me Vetëvendosjen.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.