Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Guerot: Rruga e Kosovës drejt NATO-s e BE-së, përmes themelimit të Asociacionit

NULL NULL
17.06.2025 22:48
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot. Foto: ZKM

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, theksoi se rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së do të kalojë përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se Asociacioni është pjesë e marrëveshjeve që nga viti 2013 dhe se kjo është ritheksuar edhe në marrëveshjen e Ohrit. Sipas tij, themelimi i Asociacionit do të ishte një shenjë konkrete e vullnetit të Kosovës për të përmbushur zotimet e saj ndërkombëtare.

“Kur them nuk do të shpikim edhe njëherë rrotën, ekziston ajo që quhet ‘elefanti në dhomë’, është ky Asociacioni që lihet disi anash. Mënyra ose rruga drejt NATO-s e BE-së do të shkojë përmes themelimit të këtij Asociacioni. Do të ishte çorientuese që të pretendonim që ky fakt mund të lihet anash. Asociacioni është pjesë e marrëveshjeve që nga viti 2013 e tutje dhe pastaj është ritheksuar edhe në marrëveshjen e Ohrit apo përmendur aty. Gjithsesi, që duhet themeluar, po, dhe do të jetë një shenjë krejt konkrete e vullnetit të Kosovës që të përmbushë zotimet e veta. BE-ja ka bërë një lloj përpjekje që të hartojë një lloj statuti që është në përputhje me Kushtetutën, dhe nëse ka dikush që mund ta thotë që është në pajtueshmëri me Kushtetutën ose jo, është Gjykata Kushtetuese, kështu që sugjerimi ynë ka qenë që, testojeni këtë statut”, theksoi Guerot për RTK.

Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, deklaroi se Asociacioni ka qenë obligim për Kosovën që nga viti 2013 dhe theksoi se të gjithë kryeministrat prej atëherë nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë çështje.

“Kemi parë disa përpjekje për të sjellë propozime në tryezë, tanimë kemi një propozim evropian që përkrahet nga 27 shtete anëtare. E vetmja sfidë për ne është që të ecim përpara. Thjesht dërgojeni në Gjykatë Kushtetuese dhe nëse është në mospërputhje me Kushtetutën, nuk ka të bëjë fare me Serbinë, kjo është Gjykata Kushtetuese e Kosovës që do ta trajtojë këtë gjë. Por që ka mosveprim e mosveprimi ka pasoja e që nuk janë aspak pozitive”, theksoi Rohde.

Ambasadorët nuk deshën të komentojnë deklaratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se gjatë mandatit të tij kishte parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.

“E kam parë deklaratën e Trumpit, nuk jam në situatë të komentoj deklaratën”, tha Guerot.

“Nuk mund të komentoj mbi cicërimat”, theksoi Rohde. “Kjo është thënë shumë herë edhe nga administrata e re amerikane – evropianët duhet të zgjidhin problemet e veta – kjo vlen besoj edhe për çështjet siç është çështja midis Kosovës e Serbisë”.

Ambasadorët mohuan se presioni për këtë proces është vetëm mbi Kosovën.

“Jo, nuk është mbi Kosovë, është edhe mbi Kosovën”, deklaroi Guerot.

Të pyetur se pse duhet ta bëjë Kosova këtë hap kur Serbia, siç u theksua, e lufton Kosovën në shumë fusha, Guerot theksoi se Franca vazhdimisht i kërkon Serbisë që të ketë trajtim gjyqësor të autorëve të sulmit në Banjskë.

Edhe Rohde theksoi se në çdo takim bilateral midis Gjermanisë dhe Serbisë ata e ngrenë çështjen e llogaridhënies për sulmin në Banjskë dhe për incidentin në kanalin Ibër Lepenc.

Për mos-heqjen e plotë të masave nga BE ndaj Kosovës, Rohde deklaroi se shumica e anëtarëve ishin për heqjen e menjëhershme, por disa veprime të pakoordinuara në veri bënë që disa shtete të kërkojnë të pritet edhe pak.

“Pati ca veprime të pakoordinuara në veri dhe pastaj disa vende thanë të presim edhe pak. Kemi parë vendimin, hapat e parë të heqjes graduale”, theksoi ai.

Gjithashtu, ai theksoi se “duhen dy persona për vallëzim”, duke bërë thirrje që edhe Kosova të mos ecë me hapa të njëanshëm.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.