Gruaja amerikane që e inskenoi zhdukjen e saj dënohet me 18 muaj burg - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gruaja amerikane që e inskenoi zhdukjen e saj dënohet me 18 muaj burg

NULL NULL
19/09/2022

Një grua nga Kalifornia, që falsifikoi rrëmbimin e saj, është dënuar me 18 muaj burg për deklarata të rreme në FBI.

Sherri Papini, 39-vjeçare, u zhduk në nëntor të vitit 2016.

Ajo u shfaq tri javë më vonë në Ditën e Falënderimeve, duke pretenduar se dy gra hispanike e kishin rrëmbyer.

FBI-ja më vonë doli në përfundimin se ajo po qëndronte në shtëpinë e një ish të dashuri dhe kishte plagosur veten si pjesë e skemës.

Në një Gjykatë të Qarkut të ShBA-së në Sacramento, Papini kërkoi falje, duke thënë se ishte fajtore për gënjeshtra dhe “çnderim”.

“Më vjen shumë keq për shumë njerëz që kanë vuajtur për shkakun tim – njerëzit që sakrifikuan për gruan e thyer që isha, njerëzit që dhanë me dëshirë për të më ndihmuar në një kohë që kisha aq shumë nevojë për ndihmë”, tha ajo.

“Unë po zgjedh të pranoj me përulësi të gjithë përgjegjësinë”, shtoi ajo.

Sipas një marrëveshjeje të prillit me prokurorët, Papini u deklarua fajtore për gënjeshtra ndaj një oficeri federal dhe mashtrim me postë.

Avokati i Papinit, William Portanova, kishte kërkuar kohë minimale burgimi, duke i thënë gjykatës se poshtërimi i veprimeve të saj do të ishte dënim i përjetshëm.

Në këmbim të pranimit të fajësisë së Papinit, prokurorët kërkuan një dënim më të lehtë – nga tetë deri në 14 muaj paraburgim – shumë më poshtë se maksimumi prej 25 vjetësh, që ajo mund të kishte përballur.

Papini gjithashtu pranoi të paguajë 300,000 dollarë, një pjesë e të cilave do të mbulojë kostot e hetimit të policisë. Ajo gjithashtu do të kalojë tri vjet nën kujdestarinë e mbikëqyrur pas lirimit të saj nga burgu.

Lajmi për zhdukjen e saj u shfaq për herë të parë në nëntor 2016, kur bashkëshorti i saj e raportoi të zhdukur pasi ajo nuk arriti t’i merrte fëmijët e tyre nga kopshti.

Tre javë më vonë, ajo u gjet e rrahur dhe e mavijosur në anë të rrugës duke pretenduar se ishte rrëmbyer me armë. FBI arriti në përfundimin këtë mars se e gjithë ngjarja ishte inskenuar.

Në një kallëzim penal, FBI tha se ajo kishte qëndruar vullnetarisht në shtëpinë e një ish të dashurit.

Avokati i saj, ka thënë më parë se ajo vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Në memorandumin e dënimit, ai iu referua “personaliteteve kameleonike” të saj, të cilat ai tha se në mënyrë patologjike “e shtynë atë të kërkonte njëkohësisht sigurinë familjare dhe lirinë e rinisë”.