Greqia refuzon të paguajë FMN-në - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Greqia refuzon të paguajë FMN-në

NULL NULL
21/05/2015
Në qendër të polemikave është përsëri ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, i cili ka ripërsëritur se Athina do të preferojë të paguajë pagat dhe pensionet dhe jo detyrimin financiar ndaj FMN-së më 5 qershor.

“Ajo që po ndodh në ekonominë greke me këtë dhënie me pikatore të likuiditetit që na imponojnë partnerët, vetëm që të pranojmë kushte që ndoshta për një afat të shkurtër do të ndalonin këtë asfiksim, por për vitet e ardhshme do të dënonin tregun dhe turizmin me një përkeqësim të vazhdueshëm, ky fenomen edhe më tmerron edhe më trishton. Por nuk më tremb deri aty sa të nënshkruaj diçka për të cilën ju më vonë do të më akuzoni”, ka deklaruar Varoufakis.

Por intervista që ka shkaktuar reagimin më të madh brenda dhe jashtë Greqisë ka qenë ajo tek “New York Times” me titull “Një ministër Finance i denjë për tragjedinë greke”.

Aty Varoufakis, midis të tjerash, zbulon se kishte regjistruar bisedime joformale me kolegët e tij të Eurozonës në samitin e Rigës muajin e kaluar. Duke mohuar plotësisht se gjatë këtij samiti janë përdorur prej homologëve të tij shprehjet fyese për të, si humbës kohe, kumarxhi dhe amator, ai citohet të ketë thënë: “Më lejoni të them se i mohoj këto epitete me çdo qelizë të trupit tim”.

Por më pas shënimi i gazetares në kllapa që nuk mohohet prej tij thotë: “Varoufakis më ka deklaruar se ka regjistruar takimin, por nuk mund të publikojë kasetën për shkak të rregullave të konfidencialitetit”.

Gjithësesi, sot vëmendja e grekëve është tek samiti i lartë i BE-së në Riga të Letonisë, drejt të cilit kryeministri Tsipras u nis me një avion të tipit ushtarak “C-130”, pasi tre avionët presidencialë nuk kanë ende disa pjesë këmbimi për t’u rregulluar.

Tsipras do përpiqet që të fusë në axhendën e këtij samiti përsëri çështjen greke dhe të marrë një përkrahje nga kancelarja Merkel. Por 24 orë më parë ministri gjerman i Financave ripërsëriti se, ashtu si në vitin 2012, nuk mund të garantojë faktin që Greqia mund të mos falimentojë në ditët e ardhshme.

Sipas numrit të sotëm të së përditshmes gjermane “Süddeutsche Zeitung”, është përgatitur një plan i ri europian për Greqinë, shtyrja e programit ekzistues duke financuar Athinën me 4 miliardë euro, me kusht që qeveria të aprovojë një marrëveshje me reforma që do të sjellin të ardhura mbi 5 miliardë euro deri në vjeshtë.