Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gratë që ecën përkrah historisë: Rruga e tyre politike në Kosovë

NULL NULL
nga Vanesa Zhugolli 28.06.2025 15:17

Gratë në Kosovë, nga koha e luftës e deri në pavarësi, luajtën rol jetik – nga ndihma humanitare e deri te përfaqësimi parlamentar.

Edhe pse gratë nuk ishin në qendër të vendimmarrjes politike, roli i tyre në ndërtimin e shtetit, paqes dhe shoqërisë civile ishte thelbësor.

1998–1999: Gjatë luftës

Gratë ishin të përfshira në ndihmë humanitare dhe në rolet mbështetëse të UÇK-së.

Poetja, doktoresha dhe humanistja, Flora Brovina – themeloi një qendër për ndihmë për nënat dhe fëmijët dhe ishte në krye të organizatës “Lidhja e Gruas Shqiptare”.

Brovina kishte deklaruar se si mjeke në detyrë, kur kishte parë ushtarët e UÇK-së, ishte betuar se gratë do të jenë krah burrave.

Më 6 prill të vitit 1999, ajo u arrestua nga forcat serbe, duke u bërë simbol i qëndresës humanitare. Arrestimin e saj, Brovina e konsideronte si fatkeqësi.

“Nuk u ndjeva mirë kur u burgosa sepse kisha shumë detyra, kisha lënë fëmijët atje (në qendrën për nënat dhe fëmijët), kisha gra shtatzënë”, tha ajo.

“Shokët e mi e dinin që në Prishtinë kam shumë detyra, unë në atë kohë kisha hapur qendrën e rehabilitimit të nënës dhe fëmijës, dhe kishte qindra gra, që ishin me fëmijë të posalinudr, të plagosura, me sëmundje të ndryshme dhe kishin ndihmën e shoqatës që na ndihmonte me ushqime, por edhe qytetarët që kishin kuptuar se aty ishin fëmijet dhe gratë pa përkujdesje”, kishte deklaruar Brovina në një rrëfim në DTV, transmeton Klankosova.tv

Pasi Kosova u shpall e pavarur, Flora Brovina kandidoi për Presidente të Kosovës në vitin 2001 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Njëra nga nismëtaret e lëvizjes së grave në Kosovë ishte edhe Sevdije Ahmeti.  Ajo shkroi artikuj, analiza dhe libra, duke përfshirë – “Ditari i një gruaje të Kosovës 1998-1999”, botuar fillimisht në Paris.

Përveç shkrimit, Sevdija bashkëorganizoi dhe mori pjesë në shumë protesta të organizuara nën ombrellën e kauzës për çlirim kombëtar, dhe e aktualizoi çështjen e Kosovës dhe të grave në instanca të ndryshme ndërkombëtare përmes konferencave dhe platformave të ndryshme dhe kontribuoi në krijimin e rrjeteve të grave anembanë Kosovës, duke etabluar një lëvizje më të gjerë të grave në Kosovë dhe rajon.

Ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri mori pjesë në të gjitha fazat e negociatave deri në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, duke përfshirë Konferencën e Rambujesë (1999), Konferencën e Londrës (1992) dhe negociatat para Rambujesë në vitin 1998, si pjesë e ekipeve negociuese G15 dhe G5.

Në një video të rrallë të xhiruar nga Associated Press gjatë luftës në Kosovë, tregohet se si trajtoheshin gratë për t’u bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xhirimet tregojnë stërvitjet e vajzave dhe grave të Kosovës pranë një fshati të Rahovecit.

1999–2001: Paslufta dhe fillimi i përfshirjes formale

Me ardhjen e UNMIK-ut vendoset baza për ndërtimin e institucioneve demokratike.

Në vitin 2000, Igballe Rogova krijoi “Rrjetin e Grave të Kosovës”, që u bë një nga organizatat më të fuqishme për barazi gjinore.

Pak pas luftës në Kosovë, Igballe Rogova kritikonte presionin e ndërkombëtarëve për pajtim të popullatës shqiptare dhe serbe të Kosovës.

“Ne kemi se pari nevojë për shërim, lërnani vetë të vendosim se kur është koha për pajtim. Për procesin e shërimit, neve na duhet kohë dhe vetëm atëherë mund të flasim për paqe të vërtetë dhe mirëkuptim të ndërsjellë”, thoshte ajo në atë kohë për Albinfo.ch

2001–2004: Zgjedhjet dhe formimi i institucioneve të para

Në zgjedhjet e para pasluftës, përmes kuotës gjinore, në Kuvend hynë 40 gra deputete nga 120 deputetë.

Të gjitha partitë ishin të detyruara të respektonin kuotën gjinore 30 për qind, prandaj shumica kishin nga 7-10 gra në listat e tyre që hynë në Kuvend.

Në këto zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës u përfaqësua nga deputetet Flora Brovina, Drita Statovci, Teutë Hadri, Sala Ahmetaj, Exhlale Salihu dhe Hatixhe Hoxha.

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës me 47 ulëse, u përfaqësua nga këto gra deputete: Nekibe Kelmendiu, Fetije Këpuska, Edi Shukriu, Sanije Alija, Edita Tahiri, Melihate Tërmkolli, Sofije Hargji, Nafije Berisha, Samije Zeqiraj, Remzije Nimani, Mevlyde Saraçi, Besa Gaxheri, Zyhrie Maloku dhe Nurishahe Hulaj.

Zylfie Hundozi  dhe Sebahate Krasniqi – Grajçevci ishin deputete nga AAK-ja. Kurse nga Partia Vatan ishte Zehra Elezi.

Aktiviste si Feride Rushiti dhe Luljeta Aliu ngrenë zërin për të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë dhe për përfshirje politike.

2004–2007: Konsolidimi institucional

Nga viti 2006, presidentja Vjosa Osmani shërbeu si Shefe e Stafit dhe Këshilltare Ligjore e Politikë të Jashtme pranë Presidentit Fatmir Sejdiu.

Kurse, në vitin 2007, Osmani ishte aktive në çështjet që lidheshin me pavarësinë e Kosovës dhe diplomacinë ndërkombëtare.

Një moment i veçantë për të ishte vizita e presidentit amerikan George W. Bush në Tiranë, gjatë së cilës ai dha një deklaratë të fuqishme në mbështetje të pavarësisë së Kosovës: “Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur.”

Vjosa Osmani ka treguar se pati privilegjin të jetë e pranishme gjatë kësaj vizite historike në Tiranë në vitin 2007, edhe përmes një postimi në rrjetin X në vitin 2024.

“Ishte një nder të takohesha me Presidentin Bush, një kampion të vendosur për Republikën e Kosovës, i cili mbetet një mik dhe mbështetës i vërtetë i popullit tonë”, kishte shkruar Osmani.

Atifete Jahjaga, edhe pse në atë kohë nuk ishte aktive politikisht, ishte pjesë e strukturave të sigurisë. Ajo ka qenë zyrtare e Policisë së Kosovës që nga themelimi në vitin 2000 dhe ka mbajtur poste me përgjegjësi, fillimisht në nivel rajonal e pastaj edhe në drejtorinë qendrore.

Jahjaga kishte mbajtur postin e Zëvendës-Drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Kosovës që nga muaji shkurt i vitit 2009. Për një kohë të shkurtër ajo ushtroi edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Për t’u zgjedhur në vitin 2011 Presidente e Republikës së Kosovës, dhe gruaja e parë në Kosovë që e merr këtë pozitë.

Teuta Sahatqija ka shërbyer tre mandate në Kuvendin e Kosovës, fillimisht me Partinë Reformiste ORA, të cilën e udhëhoqi nga viti 2008 deri në vitin 2010, dhe më vonë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Sahatqija u shfaq në vendin e gjashtë në listën zgjedhore të Partisë Reformiste ORA në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 në Kosovë, të cilat u mbajtën sipas sistemit të përfaqësimit proporcional me lista të mbyllura.

Në nëntor 2007, Sahatqija mori pjesë në një samit dy-ditor në Vjenë të thirrur nga ministrja austriake e Punëve të Jashtme, Ursula Plassnik ku morën pjesë përfaqësues të komuniteteve serbe dhe shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe, Edita Tahiri ishte deputete në Kuvendin e Kosovës dhe një figurë e njohur e Partisë Demokratike të Kosovës. Ishte shumë aktive në procesin e bisedimeve për statusin final të Kosovës, edhe pse zyrtarisht u emërua kryenegociatore e Kosovës më vonë (në vitin 2011), gjatë dialogut me Serbinë.

Megjithatë, edhe në vitet 2004–2007, Tahiri ishte zë i fuqishëm në skenën politike, pjesë e debateve kryesore, dhe një nga të paktat gra me ndikim të drejtpërdrejtë në politikbërje dhe diplomaci.

Tahiri krijoi Alternativën Demokratike të Kosovës (ADK) në maj 2004 dhe ishte presidente e kësaj partie.

2008: Shpallja e Pavarësisë së Kosovës

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në seancën e mbajtur më 17 shkurt 2008 dhe u nënshkrua nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, prej tyre 32 gra.

Lista e grave që nënshkruan deklaratën e Pavarësisë së Kosovës si në vijim:

  • Besa Gaxherri
  • Donika Kadaj
  • Drita Kadriu
  • Drita Maliqi
  • Edita Tahiri
  • Elhame Hetemi
  • Fatmire Berisha
  • Flora Brovina
  • Gjylnaze Syla
  • Hafize Hajdini
  • Kaqusha Jashari
  • Luljeta Shehu
  • Melihate Tërmkolli
  • Mimoza Ahmetaj
  • Myrvete Pantina
  • Myzejene Selmani
  • Nekibe Kelmendi
  • Nerxhivane Dauti
  • Nurishahe Hulaj
  • Njomza Emini
  • Qamile Morina
  • Rita Hajzeraj
  • Safete Hadergjonaj
  • Sala Berisha-Shala
  • Sanije Aliaj
  • Selvije Halimi
  • Synavere Rysha
  • Shpresa Murati
  • Teuta Hadri
  • Vezira Emrush
  • Vlora Çitaku
  • Zylfije Hundozi /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.