Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Granti për ish-zyrtarin e komunës së Gjilanit- favor apo shkelje ligjore? (VIDEO)

NULL NULL
08.07.2025 20:43

Kur Komuna e Gjilanit hapi thirrjen për ndarjen e granteve për bizneset e reja, një ndër përfituesit ishte Taulant Maliqi, një emër që nuk i është i panjohur vetë institucionit që ndau fondet.

Maliqi kishte qenë i angazhuar më parë në komunë si arkitekt me kontratë mbi vepër, brenda vitit 2023, në Drejtori për Shërbime Publike.

Nga njëra anë, ai rezulton pjesë e stafit të komunës, e nga ana tjetër, përfitues i një granti prej afro 5 mijë eurosh, në kuadër të fondeve që ndahen për zhvillimin e ndërmarrjeve të reja  të cilat sipas drejtuesve të komunës, gjatë viteve 2023–2025 kapin vlerën e 400 mijë eurove.

A përbën kjo konflikt interesi?

Për të zbardhur nëse ky përfitim mund të përbëjë konflikt interesi, KiksI ka kërkuar sqarim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Deri në momentin e publikimit të këtij materiali, nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare nga kjo agjenci.

Sidoqoftë, në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (Nr. 06/L-011), neni 18 i këtij ligji ndalon që një ish-zyrtar publik të lidhë marrëdhënie kontraktuale apo të përfitojë nga institucioni ku ka qenë i angazhuar, brenda një periudhe dyvjeçare nga largimi.

Neni 18

Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike

  1. Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë:

1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre;

1.2. të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik;

Rasti nuk ka kaluar pa reagim as në planin politik. Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan, në vitin 2024, ka reaguar publikisht duke e konsideruar këtë rast si pjesë të një praktike më të gjerë të “shpërblimeve për rrethin e ngushtë të kryetarit”.

Në një deklaratë publike, PDK ka përmendur Maliqin si shembull të keqpërdorimit të fondeve publike për interesa të brendshme politike, duke kujtuar edhe faktin që ai ishte promovuar në rrjetet sociale nga vetë kryetari Alban Hyseni, si model i të rinjve ndërmarrës.

Kiks Kosova do të vazhdojë ndjekjen e këtij rasti, duke kërkuar përgjigje nga institucionet përkatëse.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.