GO+ Peja merr përgjegjësi për rezultatet, dënon dhunën dhe kërkon unitet NULL NULL 23.01.2026 22:23 23.01.2026 22:23 Klubi GO+ Peja ka reaguar pas rezultateve të dobëta në xhirot e fundit, duke marrë përgjegjësi për situatën sportive, por duke i quajtur të papranueshme format e dhunës dhe prishjen e rendit në parket. “GO+ Peja është e vetëdijshme për zhgënjimin e madh të tifozëve tanë pas rezultateve të fundit. Si klub me histori, traditë dhe identitet të fortë, ne e kuptojmë plotësisht reagimin emocional të atyre që jetojnë për këtë fanellë dhe këto ngjyra”, thuhet në komunikatën e klubit. “Megjithatë, dëshirojmë të theksojmë qartë se çdo formë e dhunës, hedhjes së mjeteve piroteknike dhe prishjes së rendit në parket është e papranueshme dhe dëmton drejtpërdrejt klubin, ekipin dhe vetë qytetin e Pejës”. “Kryesia merr përgjegjësi të plotë për situatën sportive aktuale. Rezultatet nuk janë në nivelin që kërkon ky klub dhe kjo po analizohet seriozisht në të gjitha nivelet – nga stafi teknik deri te përbërja e ekipit dhe organizimi i përgjithshëm”. Ata paralajmëruan diskutime të brendshme dhe vendime në ditët që do të pasojnë, teksa janë shprehur të hapur edhe për dialog me përfaqësuesit e tifozëve. “Në ditët në vijim do të ketë diskutime të brendshme dhe vendime të menduara me kujdes, gjithmonë në interesin më të mirë të GO+ Peja. Asnjë vendim nuk do të merret nën presion apo emocione të momentit, por mbi bazën e analizës profesionale dhe vizionit afatgjatë”. “Njëkohësisht, jemi të hapur për dialog me përfaqësues të tifozëve tanë, sepse besojmë se vetëm përmes komunikimit dhe bashkëpunimit mund të dalim nga kjo situatë”. Klubi është shprehur optimist pasi që edhe në të kaluarën ka pasur kriza, dhe i ka kaluar ato. “GO+ Peja ka kaluar kriza edhe më parë dhe gjithmonë ka dalë më e fortë. Ky klub është më i madh se çdo individ dhe do të vazhdojë të ecë përpara me dinjitet, përgjegjësi dhe respekt ndaj historisë së tij”. “Ftojmë të gjithë tifozët që ta mbështesin ekipin në mënyrë sportive dhe konstruktive. Vetëm bashkë mund ta rikthejmë Pejën aty ku e ka vendin”.