Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gjykimi ndaj Nenad Rikalos, dëshmon Drejtoresha e Financave në Ministrinë e Bujqësisë

NULL NULL
06.07.2021 13:20

Drejtoresha e Departamentit për Financa dhe Administratë të Përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Fllanza Balaj- Kurtishaj ka thënë se nuk ka dhënë ndonjë kontribut në grupin punues për program të veçantë, pasi ka qenë një dokument i gatshëm dhe nuk është diskutuar për buxhet.

Këtë deklaratë, Balaj-Kurtishaj e ka dhënë të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohet ish-ministri Rikalo, sekretari i përgjithshëm i MBPZHR-së, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

E pyetur nga prokurorja Habibe Salihi, se si kishte ardhur ky dokument i gatshëm, meqë e njëjta ishte caktuar në grup punuar për ta hartuar atë dokument, dëshmitarja Balaj-Kurtishaj ka thënë se kishte qenë një draft të cilin nuk e dinte se kush e kishte përpiluar.

“Në atë takim ku kam qenë unë, nuk është diskutuar se kush e ka përgatit draftin. Është prezantuar si dokument, por jo hollësisht”, tha ajo.

Tutje, ajo shtoi se gjatë takimit, asnjëherë nuk është diskutuar çështja e buxhetit.

“Sigurisht që ai ka qenë një dokument, një draft i gatshëm dhe normal që kemi bërë pyetje a është menduar çështja e buxhetit, mirëpo nuk kemi marr ndonjë përgjigje as prej kryesueses dhe as dikujt tjetër”, deklaroi dëshmitarja.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtësit të të akuzuarit Rikalo, avokatit Miodrag Brkljaq, dëshmitarja ka thënë se nuk i kujtohet se është nënshkruar në listë të pjesëmarrjes së takimeve të grupit punues.

E pasi i është dhënë në shikim një listë nga mbrojtja, ajo deklaroi se lista është, por se nënshkrimi është më ndryshe ajo nënshkrimi i saj.

Në pyetjen se a kishte pranuar një e-mail nga dëshmitarja Shqipe Dema, ku kishte qenë e bashkëlidhur një kornizë se si do të duhej të dukej programi dhe se a kishte qenë prezent dëshmitarja Dema në takimin e parë, Balaj-Kurtishaj deklaroi se ajo personalisht nuk kishte pranuar ndonjë dokument nga Shqipe Dema, si dhe shtoi se nuk e di a ka marrë pjesë kjo e fundit në takimin e parë. Ndërkaq, mohoi se e ka pasur ndonjëherë në duar draft dokumentin për të cilin po flitet.

Kurse, i akuzuari Rikalo ka pyetur dëshmitaren se cilat janë paragrafët në kuadër të një buxheti dhe se do të ishte mirë para të gjithëve e njëjta të shpjegoj dhe se pas këtij shpjegimi do të jetë e qartë nëse ka pasur buxhet apo jo.

“Kur vjen kërkesa buxhetore prej Ministrisë së Financave, secili institucion obligohet me përgatit ose planifiku buxhetin. Kështu që secila njësi organizative i parashtron kërkesat edhe kompletohen ato kërkesa. Dërgohen në ministri të financave, aprovohen ose jo. Kështu që gjithsecila njësi organizative apo udhëheqës i departamentit i përgatit kërkesat e veta, ndërsa administrata si shërbim bën implemetimin e atij buxheti. Dhe duhet të bazohemi në atë gjendje, në atë buxhet”, ka thënë dëshmitarja.

I akuzuari Rikalo ka pyetur cili është roli i ministrit, Qeverisë dhe cili i Kuvendit të Kosovës.

“Kuvendi normal që aprovohet ligji i buxhetit, ministri merr vendimet dhe është edhe një pjesë e caktuar e shumës që ka të drejtë ta aprovoj ministri sipas ligjit, mirëpo vendimet tjera e çështjet e tjera, nuk është ndoshta që unë me jep përgjigje”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Rikallo ka pyetur se cili ka qenë buxheti që i është ndarë Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2018.

“Zakonisht është kategoria e pagave dhe mëditjeve, mallrave dhe shërbimeve, investime kapitale, subvencione dhe transfere. Gjithë këto kode ekonomike janë të ndara edhe shumat dhe nëse tani ministri po kërkon që unë t’i përmend shumat për 2018, mundem me gabu”, ka thënë ajo.

Avokati Artan Qerkini, mbrojtës i Kapllan Halimit, ka pyetur të njëjtën se a është emëruar në grupe punuese për projekte investuese përveç kësaj që është objekt akuze, e dëshmitarja e pohoi këtë, duke shtuar se gjithmonë është emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Klankosova.tv.

Lidhur me projektin që është çështja e shqyrtimit, ajo mohoi se ka marrë ndonjë urdhër se si të veproj nga i akuzuari Halimi.

Kjo dëshmitare ka thënë se nuk i kujtohet se a ka marrë pjesë në takimin, ku ka qenë prezent i akuzuari Shefki Zeqiri, ndërkaq tha se Zeqiri, si Drejtor i Zyrës Ligjore, e ka kundërshtuar këtë masë vazhdimisht në takimet e tjera të përbashkëta që kanë pasur.

Ajo ka konfirmuar se edhe në takime të tjera jo formale, i akuzuari Zeqiri ka kërkuar nga drejtorët e departamenteve mbështetjen e tyre për kundërshtimin e këtyre masave të programit të veçantë.

Kurse, tha se kundërshtimi i tij ka pasur të bëj me bazën ligjore dhe se sigurisht që kjo ka pasur të bëj edhe me buxhetin.

Kjo dëshmitare ka thënë se për program të veçantë në fillim të përgatitjes së buxhetit sa e di nuk ka pasur diçka të cekur me specifika për masë apo program të veçantë. Ndërkaq, tha se nuk e di se cili departament ka udhëhequr me këtë program.

Gjatë seancës të së martës, pasdite, në këtë rast pritet të dëgjohen edhe dy dëshmitarë të tjerë.

lajme të ngjashme