Gjykata dënon me një vit burg për terrorizëm Mentor Zejnullahun NULL NULL 01.06.2016 17:43 01.06.2016 17:43 Mentor Zejnullahu, është dënuar me një vit burgim nga Gjykata e Gjilanit. Ai akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në tentativë në grup terrorist. Zejnullahu në seancën e dytë gjyqësore e kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohej. “E pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem. Pranimin e kam bërë vullnetarisht dhe jam penduar që kam kryer këtë vepër,” kishte thënë të hënën para gjykatës Mentor Zejnullahu. Gjykata ka vlerësuar si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë dhe për këtë ka dënuar me 1 vit burgim efektiv të akuzuarin. Në seancën fillestare, Zejnullahu kishte thënë se nuk e dinte që ISIS është grup terrorist. Sipas Prokurorisë Speciale, Mentor Zejnullahu më 29 gusht të vitit të kaluar ishte nisur drejt Tiranës me qëllimin për të shkuar në Turqi e më pas në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it, por udhëtimi i tij kishte përfunduar në Aeroportin “Nënë Tereza” të kryeqytetit shqiptar, pasi Policia e Shqipërisë nuk e kishte lejuar të udhëtonte, raporton Kallxo.com. Aktakuza sqaron se në deklarimin e tij në prokurori Zejnullahu kishte thënë se para një viti kishte nisur t’i kryejë ritet fetare së pari në xhaminë e fshatit Tërpezë të Vitisë, e pastaj edhe në atë “El Kudus” të Gjilanit, ku ndiqte ligjëratat e imamit të akuzuar dhe tashmë të dënuar për rekrutim në terrorizëm Zeqirja Qazimi. Qazimi u dënua me dhjetë vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 maj. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.