Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gjini premton kthesë energjetike: Do të zhbllokojmë gazsjellësin Shkup-Prishtinë

NULL NULL
04.06.2026 16:50

Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka akuzuar qeverinë në detyrë për, siç e ka quajtur ai, një “krim ekonomik dhe gjeostrategjik” ndaj Kosovës, duke e fajësuar për bllokimin e projektit të Gazit Amerikan dhe rritjen drastike të kostos së importit të energjisë elektrike.

Përmes një postimi, Gjini ka thënë se konfirmimi i Annu Prattipatit, se Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro në import të rrymës gjatë katër viteve të fundit, paraqet dëshmi të dështimit të politikave energjetike të qeverisë.

“Ajo që u konfirmua zyrtarisht nga u.d. Ambasadorja amerikane, Annu Prattipati, nuk është thjesht një statistikë e frikshme, është dëshmia e gjallë e një krimi ekonomik dhe gjeostrategjik kundër Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Gjini.

Sipas tij, Aleanca e kishte parë që në fillim projektin e Gazit Amerikan si një ndër projektet më të mëdha strategjike për vendin, i cili do të transformonte ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Gjini ka kritikuar vendimin e qeverisë së vitit 2021 për ta bllokuar këtë projekt, duke thënë se Kosova mbeti e izoluar dhe plotësisht e varur nga importi i energjisë nga rajoni.

Ai ka bërë të ditur se këtë qëndrim ia ka përsëritur edhe Prattipati në takimin e zhvilluar para dy ditësh, duke theksuar se mbështetja për Gazin Amerikan mbetet pjesë qendrore e programit qeverisës të Aleancës.

Në reagimin e tij, Gjini ka përmendur edhe refuzimin e mbi 200 milionë dollarëve grant nga programi amerikan i MCC-së, duke vlerësuar se pasojat e këtij vendimi po ndihen sot nga qytetarët dhe bizneset përmes faturave të larta të energjisë.

Ai ka paralajmëruar se, nëse Aleanca merr drejtimin e qeverisë, do të bëhet zhbllokimi i menjëhershëm i projektit të gazsjellësit Shkup–Prishtinë dhe përfshirja e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror.

“Siguria energjetike është siguri kombëtare. Epoka e mashtrimit dhe izolimit përfundon më 7 qershor. Kosova do t’i kthehet zhvillimit dhe aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Gjini.

lajme të ngjashme