Gërvalla tha se ‘nuk po e lusim Greqinë’, Hoxhaj: Injorancë diplomatike dhe arrogancë ballkanike NULL NULL 27.01.2022 16:15 27.01.2022 16:15 Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se është ‘injorancë diplomatike’ dhe ‘arrogancë’ deklarata e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo, mu në mes të Greqisë, ka thënë se ‘ne nuk po e lusim Greqinë për njohje, pasi që jemi njohur tashmë nga shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Moslutja e Greqisë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur po shihet si injorancë diplomatike nga ish-kryediplomati dhe deputeti aktual i PDK-së, Enver Hoxhaj. “Për shtetet e reja mediat janë platforma më e mirë dhe me ndikim për të bindur opinionin publik grek se pse është në të mirë të të dy shteteve që Greqia ta njohë Kosovën! Kur thua që nuk po e lusim askënd që ta njohë Kosovën, nuk ka të bëjë me sjellje sovrane, por me injorancë diplomatike dhe arroganca ballkanike”, ka thënë ai për Periskopin. Hoxhaj ka thënë se gabimet e tilla e dëmtojnë rëndë Kosovën dhe ministrja Gërvalla duhet t’i shfrytëzojë si duhet paraqitjet në mediat e huaja. “Gabime të tilla në komunikim me opinionin publik grek padyshim që e dëmtojnë shumë Kosovën dhe kjo ka të bëjë me këto arsye! Dy janë kriteret bazike kur një vend merr vendim për ta njohur Kosovën. Se pari është interesi shtetëror dhe interesin shtetëror e përcakton qeveria e një shteti se pse ai vend do duhet ta njohë Kosovën! Se dyti, është opinioni publik i këtij vendi sesi ai e percepton Kosovën dhe çdo simpati dhe respekt që krijon ministrja e Jashtme në media është në të mirë të Kosovës!”, u shpreh ai. Më tej, sipas deputetit të PDK-së, vizita e Gërvallës në Greqi mund të konsiderohet e parëndësishme pas deklaratës së saj. “Në Greqi ka forca si Kisha, parti ekstremiste të djathta dhe lëvizje të majta janë kundër Kosovës! Dhe në fund, nëse shkon ta bindesh në Athinë që ta lëvizë këtë vend drejt njohjes dhe në media e thua që nuk po e lusim askënd, atëherë kjo tregon që vizita ka qenë e kotë dhe dështim! Por Greqia ka një diplomaci të mirëfilltë, e njohin përkushtimin tonë për marrëdhënie diplomatike dhe duhet thjesht ta njohin Kosovën! Kur Izraeli e njohu Kosovën, tregon që pesë vendet anëtare jonjohëse të BE-së duhet të marrin vendim të njëjtë dhe nuk ka asnjë arsye për të mos ndodhur kjo!”, theksoi Hoxhaj. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.