Gazetari nga Maqedonia: Të mbijetuarit e aksidentit në Bullgari janë në gjendje stabile, trupat e viktimave kthehen gjatë kësaj jave (VIDEO)

Gazetari nga Maqedonia: Të mbijetuarit e aksidentit në Bullgari janë në gjendje stabile, trupat e viktimave kthehen gjatë kësaj jave (VIDEO)

NULL NULL
2 months më parë

Gjendja e pacientëve të mbijetuar nga aksidenti tragjik në Bullgari, është e mirë. Kështu ka raportuar gazetari nga Maqedonia e Veriut, Zekirja Mexhiti, në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Ai tha se sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile dhe lëshimi i tyre nga spitali do të bëhet gjatë ditëve në vijim.

“Gjashtë pacientë janë rikthyer në Maqedoninë e Veriu, dy pacientë të cilët u sollën të shtunën nga spitali i Sofjes dhe katër të cilët janë transferuar këtë pasdite në spitalin e Shkupit, konkretisht në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Katër pacientë para pak çastesh janë vendosur në Kirurgji Plastike ndërkohë njëra nga këta katër, është transferuar në Preshevë”.

“Të gjithë pacientët sipas mjekëve janë në gjendje të mirë, në gjendje stabile. Të gjithë kanë pësuar lëndime të ndryshme, disa kanë qenë me djegie të shkallëve të ndryshme, disa me fraktura. Lëshimi i tyre shtëpiak do të bëhet gjatë ditëve në vijim”, tha Mexhiti.

Tutje, Mexhiti tha se sipas informacioneve, gjatë kësaj jave pritet të arrijnë trupat e viktimave.

“Ky është një proces pak më kompleks, trupat pritet të arrijnë deri në fund të javës, deri të premten kur është thënë edhe nga autoritetet bullgare, por nuk është caktuar një ditë e saktë. Mbetet e pasigurt data, por e garantuar se gjatë kësaj jave do të kryhet edhe ky proces”.

Gazetari Mexhiti ndër të tjerash ka njoftuar se kompania po vazhdon të hetohet, madje janë edhe gjashtë dëshmitarë të cilët janë intervistuar e të cilët mund të kenë më shumë njohuri.  Ai poashtu tha se zyrtarët e kompanisë “Besa Trans” kanë qenë të pakapshëm për media për shkak të gjendjes emocionale.

“Nga prokuroria publike kanë njoftuar se e kanë intervistuar edhe pronarin e kësaj kompanie, i cili ka pranuar se ka qenë vozitës i njërit prej autobusëve i cili ka arritur gjatë asaj nate më herë në pikën kufitare. Ai ka mohuar kategorikisht pretendimet se në autobusët e tyre ka pasur mjete piroteknike apo naftë”, tha mes tjerash Mexhiti, njofton Klankosova.tv.