Gazetarët kosovarë: Fol mos u tut NULL NULL 03.05.2015 08:42 03.05.2015 08:42 Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të zhvillojë një aktivitet simbolik, per të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, me moton “Fol mos u tut” Në të gjithë botën por edhe në Kosovë do të shënohet sot Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë, është themeluar me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t’u kujtuar qeverive se është detyrë e tyre të respektojnë dhe mbështesin të drejtën e lirisë së shprehjes. Një gjë të tillë do ta bëjnë sot edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët në orën 11:00 do të zhvillojë një aktivitet simbolik para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, me moton “Fol mos u tut”. Data e 3 majit është vendosur që të jetë si Ditë Botërore e Lirisë së Shtypit në vitin 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Kosova, në bazë të raportit të organizatës Freedom House për lirinë e shtypit në vitin 2014, renditet në vendin e 97, nga 199 vendet e përfshira në raport, duke u vlerësuar si pjesërisht e lirë. Vendi me lirinë më të madhe të shtypit në rajon është klasifikuar Sllovenia, duke u renditur e 41-ta, pas saj më shumë se 30 vende më poshtë vjen Mali i Zi, në vendin e 78-të, Kroacia dhe Serbia në vendin e 80, Kosova dhe Shqipëria në vendin e 97, e me gjendjen më të keqe në rajon është vlerësuar Maqedonia, e cila renditet e 125-ta. Me gjendjen më të keqe janë vlerësuar vendet, si Bjellorusia, Krime, Irani, Koreja e Veriut, Siria, Turkmenistani dhe Uzbekistani, ndërsa vendet më të lira, janë ato si Norvegjia, Suedia, Finlanda, Holanda, Danimarka, Zvicra dhe Luksemburgu. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Weber thotë se kritikat që vijnë nga Prishtina për ndërmjetësuesit perëndimorë “kanë bazë” 2 orë më parë