21:53, 26 Maj 2020

Deputeti i PDK-së Kujtim Gashi i është përgjigjur akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi i cili në debatin në Rubikon të Klan Kosovës i cilësoi partitë e tjera si “të vjetruara”.

“PDK-ja është subjekti i vetëm politik që ka bërë vazhdimisht reforma brenda saj. Ata të cilët sot nuk janë në PDK, të stërvjetruarit janë pikërisht në Vetëvendosje. Kanë ikë nga PDK-ja, sepse nuk kanë arritur t’i përballojnë reformat dhe sot të gjithë janë në Vetëvendosje”.

“Janë shumë figura që kanë qenë ose janë deputetë. Kanë qenë anëtarë të PDK-së, por nga reformat të stërvjetruarit i ke në Vetëvendosje”.

Ai ka thënë se “PDK-ja e ka pranuar verdiktin e qytetarëve më 6 tetor dhe ka vendosur që të dalë në opozitë”.

“PDK-ja, për dallim nga subjektet e tjera politike, nuk pranon me qenë në qeveri ku nuk është e para. Ne jemi përcaktuar, respektojmë vendimin e institucioneve dhe mbi të gjitha verdiktin e qytetarëve”.

“E keni rrëzuar vetveten, sepse nuk keni pasë guxim të qeverisni. Sot për fat të keq kjo qeveri e shfrytëzon pandeminë si mjet që ta arrijë qëllimin – ta shtrijë popullaritetin dhe pas një periudhe të kërkojë zgjedhje”.

Duke e bërë krahasimin e situatës në kohën e LAN-it, përkatësisht VLAN-it më vonë, me situatën e krijuar në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit deputeti i PDK-së ka thënë se procesi është deformuar qysh me aktvendimin e parë.

“Në fakt unë mendoj që ky proces është deformuar pikërisht në vitin 2014 dhe nga këta akterë që sot po kërkojnë që të ketë një vendim ndryshe nga ai i vitit 2014”.

“Nga këto partitë që po qeverisin është një lloj hipokrizie, sepse atëherë kanë kërkuar të bëjnë qeverinë si shumicë parlamentare duke anashkaluar subjektin e parë politik që ka qenë PDK-ja, kurse sot e kërkojnë të kundërtën”.

“Nëse bëjmë kronologji të asaj çfarë ka ndodhur nga atëherë deri sot dhe veçanërisht nëse i referohemi se pse kemi ardhur deri në këtë proces, kemi dy subjekte politike të cilat për më shumë se tre vjet kanë proklamuar ‘qeveri të shpresës’ që në fund doli të jetë një mashtrim. Nga një reklamim që do të kemi ‘qeveri të shpresës’ erdhëm në një periudhë ku qytetarët janë më të pashpresë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës pikërisht nga veprimet e këtyre dy partive politike”.

Ai në Rubikon me Adriatik Kelmendin ka komentuar edhe 100 ditët e Qeverisë Kurti.

“Ky koalicion për 100 ditë i ka bërë jashtëzakonisht dëme të mëdha vendit duke filluar nga marrëdhëniet me SHBA-të, si një prej aleatëve më të fuqishëm. Mos të flasim për veprime jashtëzakonisht të dëmshme duke përfshirë edhe shkeljet kushtetuese  që kanë ndodhë së paku dy herë nga kjo qeveri”.

“Kemi të bëjmë me shkelje flagrante të Kushtetutës. Ajo që është e çuditshme është që kryeministri në detyrë [Albin Kurti] dhe ky subjekt politik dalin në konferenca për media dhe thonë që shkeljet kanë qenë të vogla. Unë e di që në shkelje ligjore ka shkelje të vogla dhe të mëdha. Kjo është qeveri që ka shkelë dy herë brenda një periudhë shumë të shkurtër Kushtetutën e Kosovës dhe kanë bërë disa veprime të njëpasnjëshme që janë të dëmshme për vendin dhe qytetarët”.

Gashi e ka konfirmuar se partia e tij është e gatshme që vendi të shkojë në zgjedhje, sapo pandemia Covid-19 të ketë përfunduar në Kosovë.

“PDK-ja qysh në takimin e parë me Presidentin e Kosovës ka thënë që është për zgjedhje pasi të kalojë pandemia dhe ato qëndrime i kemi sot. Ditën kur krijohen kushtet dhe mundësitë që pandemia nuk është në Kosovë PDK-ja është që atë ditë të mbahen zgjedhjet. Nuk kemi nevojë t’i frikësohemi. Jemi për zgjedhje ditën kur krijohen kushtet që të mbahen zgjedhjet – dhe këtë qëndrim e kemi prej ditës së parë”.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë