Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gana “e dyshimtë”, konsulli s’i kthen targat (VIDEO)

NULL NULL
26.12.2022 20:51

Targat “diplomatike” të konsujve të nderit – krejt i kthejnë, por jo edhe ai i Ganës Ivica Daçiqi si ministër i Jashtëm i Serbisë, është lavdëruar shumë e shpesh se po i bën dëm pavarësisë së Kosovës.

Ai nuk ka ngurruar të pretendojë se arriti t’i bindë disa shtete për ta tërhequr njohjen, si në rastin kur u bë se ia arriti këtij qëllimi me Sierra Leonen afrikane, në fillim të vitit 2020, raporton Klan Kosova.

Po ashtu, ai ka pretenduar se pati sukses të ngjashëm edhe me Ishujt Komore, 14 muaj më herët. Po kaq shumë u lavdërua edhe teksa pretendoi se siguroi çnjohje për Kosovën edhe nga Nauru, në fund të nëntorit 2019.

Këto pretendime u hodhën poshtë nga qeveritë e Kosovës, pavarësisht kush ishte në pushtet. Ç’njohjet i mohoi edhe ministrja aktuale e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Shwarz, kur u pyet se çfarë ka bërë Kosova për t’iu kundërpërgjigjur fushatës së Serbisë për zbehjen e pavarësisë.

Nga të gjitha pretendimet për çnjohje, Serbia më së shumti i ishte gëzuar asaj që insiston se u bë nga Gana, pasi ky, sipas Ivica Daçiqit, është shteti më i madh që e bën këtë gjë. Madje, ai pati publikuar edhe një letër, për të cilën ngulte këmbë se është nota verbale e çnjohjes.

Çështja e njohjes së Ganës llogaritet të jetë disi ndër më të diskutuarat, pasi statusi i saj nuk është qartësuar kurrë, e as puna e kësaj note verbale, nëse ajo ndonjëherë u soll në Prishtinë.

Ajo që dihet është se Gana ka një konsullatë nderi në Kosovë, nga viti 2016. Sipas statusit diplomatik që ka shefi i kësaj përfaqësie, del se raportet mes dy vendeve janë shumë të mira.

Kjo pasi konsulli i nderit i Ganës në Kosovë është i vetmi nga të gjithë kolegët e tij edhe të 13 vende tjera, që të paktën fizikisht, nuk i ka dorëzuar ende në Ministrinë e Jashtme tabelat diplomatike që i janë dhënë më parë.

I njëjti, siç merr vesh Klani, vazhdon t’i gëzojë privilegjet dhe imunitetet që ia garantojnë ato targa, ani se i është kërkuar nga MPJ në shtator dhe më pastaj në nëntor, t’i dorëzojë ato tabela, siç u ishte thënë edhe kolegëve të tij nga 13 shtetet tjera, të cilët e kanë bërë këtë gjë.

Klani pyeti sekretarin e MPJ-së, Behar Isma, dhe shefin e protokollit, Orhan Hajrizi, për targat e konsullit të Ganës. I pari tha se nuk është i sigurt për historinë e kësaj çështjeje, ndërsa i dyti deklaroi se për aq sa e di, të gjithë konsujt e nderit i kanë dorëzuar ato, siç u është kërkuar.

Të dy u zotuan se do ta shohin mirë këtë çështje, ditëve në vazhdim, dhe do të përgjigjen saktë cila është historia e kësaj pune. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme