Flamuri i Kosovës me letra origami thyen rekordin e Guinnessit NULL NULL 18.02.2021 20:40 18.02.2021 20:40 Flamuri i Kosovës i krijuar me letra origami ka arritur të futet në Librin e Rekordeve Guiness. Lajmin e ka bërë të ditur autorja e këtij punimi, Arbnora Fejza Idrizi, e cila tha se përgatitja e saj ka marrë një vjet kohë dhe i janë dashur 120 mijë palosje origami. “Me shumë emocione dhe krenari, dua t’ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës”. “Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund ç’do herë. 1 vit përgatitje, 4 muaj për të krijuar mbi 120,000 fletpalosje origami, 13 orë punë intenzive me gjithë ekipin për të krijuar Mozaikun më të Madh Origami më Flamurin e Republikës së Kosovës dhe për të vendosur një rekord të ri botëror”. Ky flamur i Kosovës është punuar për nder të 13 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, derisa Klan Kosova ka realizuar edhe një kronikë për të.