Filmi “Zgjoi” i Blerta Bashollit pranohet në festivalin prestigjioz ‘Sundance Film Festival 2021’ NULL NULL 16.12.2020 09:11 16.12.2020 09:11 Filmi “Zgjoi (Hive)” i regjisores Blerta Basholli ka shënuar suksesin e parë në arenën ndërkombëtare. Ai është pranuar për të qenë pjesë e festivalit prestigjioz botëror, “Sundance Film Festival 2021”. Këtë lajm, e ka ndarë me ndjekësit e saj në Facebook regjisorja Basholli, e cila është ndjerë e lumtur për suksesin e filmit. Postimi i plotë: Lajm shumë i mirë për filmin tonë ZGJOI, i cili është pranuar në konkurrencë zyrtare në Sundance Film Festival 2021, në kategorinë World Cinema Dramatic Competition! Sundance është ndër festivalet më të rëndësishme në industrinë e filmit në botë dhe jam shumë e lumtur që pas një pune të gjatë e të palodhshme të të gjithë ekipit të përfshirë në të gjitha fazat e prodhimit të filmit ZGJOI, puna po na shpërblehet. Ju falënderoj të gjithëve prej zemrës se seriozisht jam kënaqë t’u punu me secilin prej jush! Filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë, në tregimin e znj. Fahrije Hoti, e cila për mua është inspirim e inkurajim m’e vazhdu m’e punu, e siç thotë ajo, mos m’e shiku as mbrapa as anash. Një tregim i një gruaje që ka pësuar shumë nga lufta por, e cila me punë dhe këmbëngulje është bërë e suksesshme tani do të ketë rastin të shihet nga një audiencë e gjerë e për mua si regjisore dhe skenariste e projektit kjo është pjesa më e rëndësishme. Dua të dëgjohet ky tregim sepse gratë nga Kosova gjithmonë janë treguar të forta e të suksesshme si në luftëra, ashtu edhe pas tyre, por për fat të keq shumë pak përmenden e mbështeten. “Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK. Na shkoftë mbarë rrugëtimi me Zgjoi-n! Urime!