Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

FFK: FIFA dhe UEFA kërkojnë proces zgjedhor pa ndërhyrje nga palë të treta

NULL NULL
28.01.2026 20:37
Foto ilustruese / Kosovapress

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se FIFA dhe UEFA kanë konfirmuar zyrtarisht se statuti i FFK-së është amendamentuar në përputhje të plotë me kërkesat e tyre, Ligjin për Sportin dhe rekomandimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në një shkresë të përbashkët drejtuar presidentit të FFK-së, Agim Ademi, FIFA dhe UEFA theksojnë se këto ndryshime janë rezultat i një procesi konsultimi gjithëpërfshirës ndërmjet tyre, FFK-së dhe Ministrisë, ku përfaqësues të të tre institucioneve kanë qenë të pranishëm në të gjitha Kuvendet e FFK-së ku u miratuan ndryshimet statutore.

FIFA dhe UEFA nënvizojnë rëndësinë e respektimit të pavarësisë institucionale dhe të procesit zgjedhor të FFK-së pa ndërhyrje të palëve të treta, duke shtuar se çdo vendim që lidhet me qeverisjen dhe anëtarësinë e FFK-së është kompetencë ekskluzive e organeve statutare. Përfaqësuesit e tyre do të jenë të pranishëm edhe në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së më 5 shkurt 2026 për të vëzhguar zhvillimin e procesit në përputhje me statutin.

lajme të ngjashme