23:52, 6 Korrik 2020

Në Ferizaj, që është një nga katër komunat ku është kufizuar lëvizja e lirë e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, po respektohen maksimalisht masat e reja anti Covid-19.

Ekipi i Klan Kosovës që po raporton direkt nga atje për Edicionin Special ka sjellë pamje të sheshit kryesor ku nuk shihet asnjë lëvizje e qytetarëve dhe lokalet e gastronomisë janë mbyllur.

Në ndërkohë, drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt Jeton Zeqiri ka treguar se në këtë spital po trajtohen 14 pacientë me Covid-19.

“Në qytetin tonë kemi 101 raste aktive dhe 139 raste të shëruar. Siç e dini të gjitha spitalet rajonale kanë filluar trajtimin e rasteve me Covid-19, prandaj edhe ne kemi adaptuar një repart. Meqë numri po rritet vazhdimisht dhe gjendja është alarmante, sot e kemi hapur edhe një repart tjetër ku në të dyja repartet kemi të hospitalizuar 14 pacientë, ku tetë prej tyre kanë nevojë për oksigjenoterapi”.

“Një gjë e tillë është e domosdoshme, pasi QKUK-ja është e stërngarkuar dhe ne duhet t’i dalim në ndihmë kolegëve tanë. Ne presim rritje edhe më të madhe të numrit të pacientëve që kanë nevojë për trajtim hospitalor”.

Zeqiri ka treguar se në bashkëpunim me institucionet shëndetësore janë dakorduar që objekti i ri i IKSHPK-së në Ferizaj të funksionalizohet në shërbim të menaxhimit të situatës me pandeminë.

Ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë për stafin mjekësor masa mbrojtëse dhe stimulim financiar.

Në ndërkohë Komandanti i Policisë për rajonin e Ferizajt Imer Kaqara ka thënë se në terren janë shtatë njësi të cilat janë vendosur në pika statike dhe katër njësi mobile që po përkujdesen për zbatimin e masave të reja anti-Covid-19.

“Qytetarët dhe pronarët e bizneseve e kanë respektuar në mënyrën më të mirë të mundshme vendimin e qeverisë. Deri tash nuk kemi pasë asnjë rast që ka të bëjë me shkelje, por nëse ka raste të tilla do të ndërmarrim veprimet e duhura ligjore”.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë