FBK i motivon vashat e Kosovës të merren me basketboll NULL NULL 02.07.2021 21:54 02.07.2021 21:54 Të premtën ka filluar Kampi “Hoop Girls”, që ka për qëllim promovimin e femrave në basketboll dhe roleve të ndryshme përmes të cilave ato kontribuojnë në zhvillimin e këtij sporti dhe për të rritur pjesëmarrjen e femrave në basketboll. Kampin e hapi, Edita Medunjanin, përgjegjësja e organizimit, e cila është shprehur se, vajzat jo vetëm që duhet të merren me basketboll, por edhe të vazhdojnë karrierën në sport, duke punuar si trajnere, gjyqtare, si administratore në klube dhe në strukturat udhëheqëse në klube, bën të ditur Federata e Basketbollit e Kosovës, përcjell Klan Kosova. Ish basketbollistja e cila ka përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare nënvizoi se, është nder të përfaqësohet vendi në arenën ndërkombëtare, derisa Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) i kushton rëndësi të madhe femrave në basketboll, ku tani ka grupmoshat e reja, Kosovën 3×3 dhe Përfaqësuesen A. Në ditën e dytë në program është vizita e Drejtorit të Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, i cili mbështet vajzat, së bashku me basketbollistin e Kosovës, Gëzim Morina dhe Anjesa Hazeraj, e cila do t’iu rrëfejë vajzave rreth karrierës së saj si gjyqtare. Dita e dytë mbahet të shtunën nga ora 12:00 në Marigona Rezidencë.