Familja Muleci, një vit pas vdekjes së vëllait dhe babait: “Doktori na i mbyti të dytë” (VIDEO) NULL NULL nga Florentina Hoti 19.06.2025 19:24 nga Florentina Hoti 19.06.2025 19:24 U bë një vit që kur Adnan Muleci dha frymën e fundit. Edhe pas kaq kohësh nuk ka një verdikt final nga drejtësia. Familja vazhdon e endet dyerve të Prokurorisë Themelore në Pejë, ashtu siç vazhdon të akuzojë kirurgun Bujar Vrella se faji mbetet kryekëput i tij. Para më shumë se 7 muajsh, KIKS Kosova transmetoi hulumtimin lidhur me vdekjen e Adnan Mulecit dhe babait të tij. 31-vjeçari nga Peja, në këmbët e veta kishte shkuar deri në spitalin e Pejës për të hyrë në operacion. Askujt nuk ia merrte mendja që vetëm brenda 5-ditësh, ai do kthehej në arkivol në shtëpinë ku lindi e u rrit. Për disa ditë, gjaku i tij u helmua dhe ai vdiq nga shoku septik. E ky qershor vetëm sa ua thelloi edhe një herë më shumë dhimbjen familjes Muleci. Sot një vit pas, motra e tij Marigona thotë se dhimbja e malli për Adnanin vetëm sa shkon e shtohet. Humbja e vëllait e pastaj edhe vdekja e babait, Marigona thotë se ua bëri të përjetonin vitin më të vështirë të jetës. Jeta e tyre u kthye në zi të përjetshme. Nuk mund të hanë e të pinë, të çohen nga gjumi e të shtrihen në mbrëmje, pa menduar për atë që ishte gëzimi i shtëpisë. Mes dhimbjes, ajo çka Marigonën, motrat e të ëmën po i rëndon edhe më tepër është neglizhimi institucional. Marigona në rrëfimin e saj për KIKS Kosova, ka thënë se nuk po mund ta kuptojë Prokurorinë kur po i thonë se nuk ka prova për më tutje. Marigona sjell në kujtim të gjitha thirrjet që iu bënë doktorit, duke i treguar për gjendjen e vëllait gjatë qëndrimit të tij në Pejë, dhe përgjigjet e tij, siç thotë ajo, plot arrogancë duke iu thënë së kështu duhet të jetë, dhe se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Krejt çka familja po kërkon është drejtësia. Madje, Marigona ka thënë se në qoftë se procesi gjyqësor do të vazhdojë të zvarritet, ata do të kërkojnë ekspertiza ndërkombëtare lidhur me rastin e vëllait të tyre. Detajet i gjeni në kronikën në vijim: *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.