Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Euro 2024: Kosova s’po merr pjesë, por po shkakton shumë telashe

NULL NULL
22.06.2024 13:33
kosova shqiperi
Mbështetësit e Shqipërisë mbajnë një slogan me mbishkrimin "Kosova është Shqipëri" gjatë ndeshjes mes Kroacisë dhe Shqipërisë në Euro 2024 në Hamburg, Gjermani, më 19 qershor. Foto: AFP

Derisa ekipet kombëtare të vendeve nga Ballkani që po garojnë në Kampionatin Evropian të futbollit në Gjermani nuk përballeshin mes vete në fushën e gjelbër, tifozët e tyre ishin në qendër të vëmendjes në javën e parë të turneut, duke shkaktuar incidente të ndryshme, që u ndëshkuan nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).

Ditët e para të Euro 2024 – që nisi më 14 qershor – u shënuan me disa incidente, në të cilat u përfshinë kryesisht tifozët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Shqipërisë dhe të Serbisë në veçanti, por edhe një futbollist dhe një gazetar i sportit.

Por, shumica e incidenteve u përqendruan rreth Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh.

Çfarë ndodhi dhe kush u përfshi?

UEFA i ka gjobitur Shqipërinë dhe Serbinë për incidentet e shkaktuara nga tifozët e tyre, dhe është duke e hetuar Shqipërinë dhe sulmuesin e saj, Mirlind Daku, për incidente të tjera.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) u dënua me gjobë të përgjithshme prej 37.375 eurosh nga UEFA, për shkak të sjelljeve të tifozëve të saj në humbjen 2:1 kundër Italisë, në ndeshjen hapëse të Grupit B, më 15 qershor, në Dortmund.

Në një njoftim, më 19 qershor, UEFA tha se, ndër të tjera, e dënoi FSHF-në me 10.000 euro për shkak të “përçimit të mesazheve provokuese, të papërshtatshme për një ngjarje sportive”.

Tifozët e Shqipërisë e shpalosën një baner me flamurin e vendit të tyre që zgjeron kufijtë brenda territorit të vendeve fqinje, gjatë asaj ndeshje dhe gjatë ndeshjes kundër Kroacisë, më 19 qershor. U raportua se ata shpalosën edhe një flamur me stemën e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Serbia, në anën tjetër, u gjobit me 10.000 euro, pasi Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i UEFA-s gjeti se tifozët e saj “përçuan mesazhe provokuese, të papërshtatshme për një ngjarje sportive”, si dhe me 4.500 euro për hedhjen e gjësendeve në fushë, në humbjen 1:0 kundër Anglisë, më 16 qershor, në Gelsenkirshen.

Para asaj ndeshjeje, shtatë tifozë serbë u arrestuan për shkak të një përleshjeje me tifozët anglezë, në qytetin perëndimor gjerman.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) bëri ankesë në UEFA për, siç ka thënë, shfaqjen e flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me “mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës”, gjatë ndeshjes Serbi-Angli.

(shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë)

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme