Eliot Engel: I shqetësuar me taktikat e ‘duarve të rënda’ të Administratës Trump ndaj Prishtinës NULL NULL 28.03.2020 10:46 28.03.2020 10:46 Kongresisti amerikan Eliot Engel ka shprehur shqetësimin lidhur me, siç e quajti ai, ndërhyrjen e Administratës Trump në politikën kosovare. Përmes një letre të publikuar së fundmi Engel thotë se SHBA-të do të duhej të bashkëpunonin me qeverinë Kurti, ashtu siç kishin vepruar me qeveritë paraprake, për arritjen e paqes në rajon – e jo të bëjnë taktizim. Kongresisti amerikan thekson se SHBA-ja i kontribuoi krizës politike në Kosovë, në kohën kur po përballemi me një pandemi globale. “Jam i shqetësuar gjithnjë e më shumë me taktikat e ‘duarve të rënda’ që Administrata Trump po përdor me Prishtinën. Departamenti i Shtetit ka kërkuar prej kohësh që Kosova ta heqë tarifën ndaj Serbisë. Por, kjo Administratë iu drejtua ndëshkimeve ekonomike vetëm disa javë pasi Qeveria Kurti mori detyrën. Në vend se ta linte një qeveri të re, e cila po përballej me një pandemi, ta vendosë stafin në agjencitë e saj dhe të vendosë procedurat e brendshme, SHBA-ja kontribuoi në një krizë politike në Prishtinë lidhur me tarifat për Serbinë”. “Në vend që të përdorin taktika mbivendosëse me një mik i cili mbështetet në mbështetjen tonë, Shtetet e Bashkuara do të duhej të kishin punuar me durim me qeverinë e deritanishme të Kosovës – siç kishin kërkuar të punonin me qeveritë e mëparshme në Kosovë – të përmirësojë politikat që promovojnë prosperitet dhe paqe të qëndrueshme. Të ushtrosh forcë ndaj një demokracie të vogël është akt bulizmi, jo i një partneri të pjekur”. Sa i përket vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve serbe, Engel thotë se Kosova si shtet sovran ligjërisht mund t’i vendosë ato edhe pse ka arsye të mira për heqjen e tyre, por presioni që i është imponuar Prishtinës për taksat është i pabalancuar. “Diplomatët serbë po enden nëpër vende të ndryshme të globit duke bërë presion për çnjohjen e Kosovës, Serbia po thellon marrëdhëniet me Moskën dhe po blen sasi të konsiderueshme të armëve ruse. Në fakt sipas Aktit Sanksionues për Përballjen me Kundërshtarët e Amerikës (Countering America’s Adversaries Through Sanctions – CAATSA) të miratuar nga Kongresi, pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, këto blerje të armëve kërkojnë nga administrata që të vendosen sanksione ndaj Serbisë. Ne as që i kemi vendosur ato sanksione dhe as nuk kemi bërë presion në mënyrë energjike ndaj Serbisë që ta ndalojë fushatën e çnjohjeve”. “Diçka nuk është në rregull me politikën e SHBA-ve dhe ne duhet ta korrigjojmë atë. Ne duhet të fillojmë me ribalancimin e qasjeve tona ndaj Serbisë dhe Kosovës. Ne duhet të punojmë me aleatët tanë evropianë për t’i trajtuar të dy vendet si partnerë të pavarur dhe sovranë, duke zbatuar standarde të qëndrueshme për të dy palët përderisa përpiqemi të rinisim bisedimet e paqes. Kur ligji amerikan thotë se duhet të sanksionojmë Serbinë për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë, duhet”. Eliot Engel gjithashtu thotë se ndjehet krenar që ka bashkëpunuar me qeveri të ndryshme të Kosovës, vend, për të cilin thotë se amerikanët pritet më së ngrohti në botë. Ai thekson se nuk dëshiron të mbajë anë dhe premton se do e vazhdojë bashkëpunimin me cilëndo qeveri që e zgjedh populli i Kosovës. Letrën e plotë të kongresistit amerikan Eliot Engel mund ta gjeni këtu. Chmn. @RepEliotEngel’s Statement on U.S. Policy toward #Kosovo: https://t.co/jevGRGwkyh — House Foreign Affairs Committee (@HouseForeign) March 28, 2020 *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Rezervoi bileta pa asnjë cent, Mërgim Gashi kthen borxhin pas hulumtimit të Kiks Kosova (VIDEO) 03/07/2025