Ekskluzivisht për klankosova.tv ish-zëdhënësja e Zelenskyt flet për takimet me Putinin Autor: Yllnora Elshani NULL NULL 08.03.2023 18:43 08.03.2023 18:43 Lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës e nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar, po vazhdon ende. Por, një rrëfim të çarjeve politike të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin rus Vladimir Putin e ka ndarë nga Ukraina, ekskluzivisht për klankosova.tv, Julia Mendel. Ajo ishte sekretare e shtypit në administratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky nga 2019 deri 2021, teksa për gjithë këtë periudhë, por edhe për luftën e cila po vazhdon të zhvillohet, ajo nxjerr të pathëna. ”Nuk është Ukraina ajo që e filloi luftën. Nuk është Ukraina në luftë. Është lufta ruse, kundër demokracisë, kundër Ukrainës, kundër botës së lirë në territorin tonë”, thotë ajo për klankosova.tv. Ish-zëdhënësja e Zelensykt thotë se Rusia luftën ndaj Ukrainës e nisi në fakt më 2014, kur sulmoi dhe e aneksoi Krimenë. “Rusia sulmoi Ukrainën në vitin 2014. Rusia më pas aneksoi gadishullin tonë të Krimesë dhe filloi aksionet ushtarake në Donbas në lindje të vendit”. ”Dhe nëse mendoni se ishte një luftë e vogël, nuk ishte. 14000 njerëz vdiqën në atë luftë dhe miliona ukrainas u shpërngulën, duke humbur shtëpitë e tyre. Ishte një kohë e tmerrshme atëherë dhe Rusia e kishte bërë atë luftë në një pjesë të vendit tonë për 8 vjet para se të fillonte si një luftë e gjerë”. Megjithatë, Mendel thotë për klankosova.tv se, ndonëse nuk e mban më pozitën në Zyrën e Zelenskyt, përsëri mbetet në kontakt me presidentin ukrainas. ”Po, ne ishim në kontakt me presidentin në telefon, ishim në kontakt dhe i ndihmova të organizonin disa gjëra, gjëra të rëndësishme”. Këshilltarja politike flet për klankosova.tv madje edhe për personalitetin e presidentit ukrainas, dhe mënyrën se si ai i menaxhon krizat. ”Zelensky është një person shumë i orientuar drejt qëllimeve. Ai nuk dorëzohet kurrë, është shumë këmbëngulës dhe ka punuar shumë kur po ndodhnin kriza kaq të shumta, por duke qenë president, punonte 24 orë dhe i pëlqente të mos dorëzohej kurrë, ai kërkonte zgjidhje të reja gjithmonë”. Për këtë rrugëtim të saj, ajo ka botuar edhe një libër. ””The fight of our lives”, (Lufta e jetëve tona) nuk do të thotë se është libër vetëm për luftën. Kjo është në fakt lufta e vendit tim, dhe lufta e çdo ukrainasi për t’u bërë pjesë e botës së lirë. Kjo është lufta kundër korrupsionit, kjo është lufta për reforma, kjo është lufta kundër çdo gjëje sovjetike në vendin tim – gjithçka që solli komunizmi”. ”Kjo është lufta ime si gazetare, lufta ime si grua. Nuk është vetëm një libër për luftën. Është libër nga një person i brendshëm i ekipit të Zelenskyt dhe libri i një ukrainasi që lindi në Ukrainën e pavarur, për të shpjeguar se çfarë po ndodhte në 31 ose 30 vitet e para të pavarësisë. Si u përpoq të arrinte paqen, dhe si erdhi Zelensky në pushtet, dhe pse Zelensky erdhi në pushtet?”. Duke qenë para disa vitesh, sekretare e shtypit në administratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ajo zbulon edhe përshtypjet e saj për presidentin rus, Vladimir Putin, të cilin e konsideron të dobët. ”Ai [Vladimir Putin, shën.red.] është mësuar vetëm të urdhërojë dhe të shohë se urdhrat e tij po zbatohen, dhe kjo e bëri atë një negociator shumë të dobët dhe ai me të vërtetë ndihej shumë, shumë jorehat që po negocionte paqe me Zelenskyn”. Megjithatë, ajo rithekson se është vet propaganda ruse ajo që e paraqet atë ndryshe nga që duket. ”Është kaq interesante të kuptosh që propaganda ruse e shpërfaq Vladrimir Putinin si një person kaq të fuqishëm dhe një njeri kaq të fortë, por në të njëjtën kohë ai është në pushtet për më shumë se 20 vjet dhe askush nuk mendon se gjatë asaj kohe ai nuk është mësuar për të negociuar diçka, për të diskutuar diçka”. Për këto cilësime të saj, Mendel ndan madje edhe disa rrëfime nga momentet e një takimi tejet kritik të vitit 2019 në Paris. ”Ai nuk ishte i përgatitur, se nuk zotëronte të gjithë informacionin. Ai po i pyeste këshilltarët e tij se çfarë të përgjigjeshin, çfarë ishte e vërtetë. Ai ulte sytë poshtë se nuk ndihej rehat kur u ul në karrige, nuk ndihej rehat duke u ulur në atë tavolinë në Paris në 2019 dhe në fakt, përshtypja ime personale, nga Putini, ishte se ai është gjithashtu një person shumë i vjetruar”. ”Sikur ai është person nga e kaluara që beson në vlerat e së kaluarës dhe më pas mendova se nuk kishte asgjë që do ta bënte këtë person me ndikim dhe të rëndësishëm ose do të lejonte të ndërtonte një të ardhme sepse ky person, Putin, i përket të shkuarës”. Për të parandaluar konfliktin, Julia Mendel zbulon për klankosova.tv se shefi i saj, presidenti Volodymir Zelensky, për dy vjet tentoi që me homologun e tij rus të bënin paqe. Lidhur me këtë, ajo flet edhe për momentin e shkëputjes totale të kontaktit mes të dyve. ”Zelensky për dy vjet u përpoq të fliste me Putinin dhe t’i shpjegonte atij se ata kishin nevojë për paqe. Ai ishte i vendosur vetëm për të zbatuar ambicien e tij imperialiste, padyshim që ai nuk donte të linte Ukrainën e pavarur, dhe në një moment ai ndaloi së foluri me Zelenskyn, ai ndaloi së foluri në telefon, mendoj se ishte vera 2020. Po, verë 2020!”, thotë ajo. Tutje, Mendel ndan edhe një moment tjetër nga takimi i vitit 2021, të formatit ‘Normandy’, ngjarje kjo e dedikuar për pjesëmarrje vetëm nga një grup shtetesh, i përbërë prej Gjermanisë, Rusisë, Ukrainës dhe Francës. ”Dhe në vitin 2021 ishte takimi i dytë, Angela Merkel iu bashkua Emanuel Macronit dhe Volodoymir Zelenskyt online. Zelensky në Paris po pritej në Pallatin Elyse, por Putini nuk iu bashkua”. Siç thotë Mendel, presidenti rus nuk mbërriti, nuk mori pjesë në këtë takim, meqë po përgatiste sulmin e tij në shkallë më të gjerë. Mes tjerash, ajo thotë se presidenti ukrainas bëri çdo gjë që ishte e mundur për të ruajtur pavarësinë, teksa potencon se askush nuk e priste që Putini mund të niste një luftë në Evropë, e cila do të ishte më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore. Kur u pyet nëse Kosova ishte përmendur ndonjëherë në ndonjërën prej takimeve, ajo mohoi të mbante në mend diçka të tillë. Por, u shpreh se Volodymir Zelensky pati momente të vështira presidenciale, sa nuk arriti të zhvillonte marrëdhënie me shumë vende tjera. ”Kishte shumë plane për të udhëtuar në rajone të tjera, por më pas e dini që filloi koronavirusi dhe Zelensky ishte në pushtet më pak se një vit, mendoj tetë muaj ose diçka rreth 10 muaj, dhe pastaj nisi lufta, por është e vështirë ta kujtosh tani. Ju e dini që nuk mund të kujtosh qartë çdo takim dhe pa dyshim që nuk isha e pranishme në çdo takim”. Ajo për klanosova.tv, e përshkruan presidentin Zelensky si një person që nuk i do konfliktet. ”Zelensky donte të krijonte marrëdhënie të mira me të gjitha vendet dhe ai nuk ishte i etur për të krijuar konflikte apo çfarëdo tjetër dhe padyshim që ishte e vështirë të bëhej për shkak të të gjitha rrethanave të shumta gjatë presidencës së tij”. Megjithatë, anise tashmë nuk gjendet nën petkun e stafit presidencial ukrainas, ajo përmes klankosova.tv pati një mesazh për presidentin rus, Vladimir Putin. ”Unë do të thosha se ai thjesht po vret vendin e tij dhe po vret vendin tim dhe nuk do të fitojë kurrë në këtë luftë dhe ai po humbet dhe këto rezultate do të jenë gjithnjë e më keq”. ”Nëse Putini dëshiron të shpëtojë fytyrën e tij dhe të paktën disi të kujdeset për vendin e tij Rusinë, ai duhet të tërheqë trupat, duhet të kërkojë falje, duhet të paguajë për gjithë këtë agresion këtu dhe po, ai duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo është një vrasje, ai është në pushtet”, përfundoi Julia Mendel, ish-sekretare e shtypit në administratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Kujtojmë që anise rusët po hasin në rezistencë të forcave ukrainase, të cilat po ndihmohen nga shumë vende perëndimore me armatim, beteja tashmë po vazhdon për marrjen e kontrollit të Bakhmutit. klankosova.tv.
Kosova Tahiri, Kurtit: S’e pyete as opozitën as VV-në kur e pranove planin pa njohje reciproke e Asociacionin 2 months