EKSKLUZIVE| ShBA: Qëndrimi ynë për Specialen s’ka ndryshuar NULL NULL nga Besart Maloku 10.12.2024 14:03 nga Besart Maloku 10.12.2024 14:03 Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Foto: Ambasada Amerikane / FB Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur kundër zërave te disa aktorë politikë në Kosovë se duhet të nisë inicimi i zhbërjes së Gjykatës Speciale. Kështu ka thënë ekskluzivisht për Klankosova.tv një zëdhënës i ambasadës së ShBA-së në Kosovë sipas të cilit “qëndrimi i ShBA-së për Gjykatën Speciale është i pandryshuar”. “Qëndrimi i SHBA-së për Gjykatën Speciale është i pandryshuar: ne mbështesim punën dhe mandatin e gjykatës dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta lejojnë atë të vazhdojë punën e saj pa asnjë lloj ndërhyrjeje të jashtme”, tha ky zëdhënës për Klankosova.tv. Tutje në përgjigjen e ambasadës theksohet se Amerika e ruan mbështetjen e saj të fuqishme për punën e Speciales, të cilën e quajti thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit në vend dhe garantimin e drejtësisë për viktimat. “ShBA-ja ruan mbështetjen e saj të fuqishme për punën e Gjykatës Speciale të Kosovës si thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit në Kosovë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Klankosova.tv. Zërat se Gjykata Speciale duhet të zhbëhet kanë nisur që nga e premtja e javës së kaluar, kur Dhomat e Specializuara ngritën aktakuzë të re kundër ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi, nën dyshimet se bashkë me Isni Kilajn, Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn e Hajredin Kuçin, kanë ndikuar në dëshmitarë. Kjo nuk është hera e parë që ka zëra për zhbërjen e kësaj gjykate, pasi një gjë e tillë pati ndodhur edhe në 2018-ën, kur disa deputetë të pushtetit të asaj kohe patën iniciuar kërkesë në kuvend. E njëjta kishte nxitur reagimin e ashpër të ambasadorit amerikan në Kosovë asokohe, Greg Delawie, i cili pati deklaruar se “ideja për ta ndryshuar ligjin e Gjykatës Speciale mund ta izolojë globalisht Kosovën. Ide e tmerrshme, mos e ktheni orën mbrapa”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.