Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

E vërteta si metaforë

NULL NULL
15.07.2022 15:44

Michael H. Whitworthin e ka nxitur gjithmonë të dijë më shumë se çfarë të përbashkëte kishin letërsia dhe shkenca, se si gjenin një kanal të përbashkët edhe kur qe vendosur ideja se ato dyja nuk shkonin bashkë, nuk kishin se si të shkonin bashkë dhe nuk duhej që të shkonin bashkë.

Whitworth, ligjëron në Universitetin e Oksfordit dhe është kryesisht i interesuar në periudhën e modernizmit në letërsi si dhe në ndërveprimin e saj me shkencën dhe ndikimin reciprok midis dyjave.

Ai më 2001 botoi librin Zgjimi i Ajnshtajnit: Relativiteti, metafora dhe letërsia moderniste, në të cilin heton përdorjen dhe përdorshmërinë e aleteve gjuhësore e letrare, si puna e metaforës, në shkencë, si dhe ndërfutjen e zbulimeve revolucionare në fizikë që ngjanë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të atij XX, në krijimet e autorëve më të shquar modernistë.

Ajnshtajni e ndryshoi botën kur erdhi me teorinë e përgjithshme të relativitetit, dhe një gjë e tillë nuk kishte se si të kalonte e pandier nga shkrimtarët e asaj kohe dhe të viteve që pasuan.

Whitworth kryesisht është përqendruar në veprat e disa prej personaliteteve krye të kësaj periudhe si Virgina Woolf dhe D.H. Lawrence.

Ai del kundër besimit se shkenca dhe arti janë të papajtueshme duke thënë se megjithatë roli i metaforës në shkencë është “pjesë e pranuar e teorizimit të letërsisë dhe shkencës”, duke hedhur poshtë besimin e krijuar në periudhën e Post-Renesancës ku ai thotë që qe ngulitur ky dualizëm i thellë sipas të cilit, mes dallimeve të tjera radikale, roli i metaforës në shkencë është vetëm shpjegues.

Mirëpo, Whitworth arrin të gjejë letërsinë në shkencë dhe shkencën në letërsinë, me theks të veçantë në atë moderniste, duke i kapërcyer besimet e ngulitura për shekuj rreth mungesës së një lidhjeje edhe logjike por edhe shpirtërore midis dyjave.

 

Si e kompletojnë njëri-tjetrin interesimi juaj për letërsi me atë për shkencë?

Mendoj se ma ofron një pasqyrë të asaj se si shkrimtarët modernistë të fillimit të shekullit njëzet  i kuptonin lidhjet e tyre me botën moderne në të cilën jetonin. Për një kohë të gjatë, njerëzit i kanë shikuar këta autorë si anti-shkencë, anti-teknologji, sepse disa kritikë të hershëm i kishin interpretuar asisoj, që gjoja ata ishin të interesuar vetëm në irracionalen, në të pavetëdijshmen e Frojdit dhe në të gjëra të tilla. Dhe mua më dukej që kishte një qëndrim më pranues nga ana e tyre për gjërat e jashtëzakonshme që po ndodhnin në shkencë, e posaçërisht në fizikë, në 20 vjetët e para, 25 vjetët e para të shekullit njëzet. Andaj kjo mendoj që më ndihmoi që ta përshtati të kuptuarit tim në atë aspekt.

Cilët shkrimtarë janë më të prirë ta përfshijnë shkencën në krijimtarinë e tyre?

Kur po e shkruaja Zgjimin e Ajnshtajnit, isha i interesuar në konceptimin e shkrimtarëve se çfarë po bënin në atë që e quajmë formë të veprës. Dhe jo vetëm formë në kuptimin e asaj se a rimon një varg me tjetrin, por në kuptimin e asaj se çfarë mund të bëhet në formën e përgjithshme të një poeme apo romani. Dhe në këtë kuptim, ata as që ishin domosdo tërësisht të vetëdijshëm që po e fusnin shkencën në romanet dhe poezitë e tyre, por u bë e disponueshme për ta si mënyrë e shpjegimit të asaj që e kishin bërë. Për shembull, kur T.S. Elioti shkruan për dramaturgun e shekullit të shtatëmbëdhjetë, Ben Johnsonin, ai flet për njerëzimin jo-Euklidian. Dhe në të shkruarit për Johnsonin, mendoj që është e pranueshme që Elioti po ashtu po mendon se çfarë po bën në poezi si Toka e shkretë dhe në disa poezi të tjera kur shkruan për atë kohë. Nocioni i gjeometrisë joeuklidiane ishte atëbotë në ajër për shkak të Ajnshtajnit dhe të parimit të përgjithshëm të relativitetit. Andaj, kjo ishte një mënyrë e të kuptuarit të lidhjes së ndryshme me personalitetin njerëzor, me idetë e karakterit e kështu me radhë, që ata nuk e kishin thellësinë në një mënyrë që e kuptonin në të kaluarën, që mund të ekzistojë një gjeometri ndryshe rreth idesë sonë mbi karakterin. Ky mund të jetë një shembull. Ose që veprat moderniste janë shumë të thyera në kuptimin e përdorimit të hapësirës dhe kohës. Ato kërcejnë  nga një moment në histori, te tjetri. Ato zhvendosen nga një lokacion te tjetri në mënyrë rapide. Dhe kjo më duket mua sikur ka një lloj lidhjeje me mënyrën se si fizikanët mendonin për materien që është e thyeshme, për atomin që mund të nëndahet dhe mënyra se si ata po ashtu po mendojnë për hapësirë-kohën si diçka që mund të shtrembërohet, të ecet apo lakohet, terma të ndryshëm pra përdoren. Andaj, prapë, kjo do të ishte një mënyrë e lidhjes së të dyjave.

Ç’tipare të përbashkëta kanë letërsia dhe shkenca? Ç’i bën bashkë – imagjinata, mendimi kreativ?

Po, imagjinata si gjë e thellë; sensi i krijimit të një teorie të re shkencore, e vënies së të dhënave në një lidhje koherente është një akt imagjinativ që kërkon nganjëherë një kërcim të imagjinatës në mënyrë që të kërceni nga një mënyrë e të shikuarit të gjërave te tjetra. Andaj ky, supozoj, është niveli fundamental. Një nivel që më interesonte mua veçanërisht ishte ideja e metaforës dhe ideja jo vetëm e metaforës si diçka që shkrimtarët e përdorin për ta dekoruar shkrimin e tyre, por metafora si diçka që e përdorim për ta kuptuar botën, që e rikonfigurojmë botën përmes metaforave. Dhe nga aty, merrja drejtimin nga njerëzit që e kishin përcjellë shkencën e shekullit nëntëmbëdhjetë, teorinë e Darvinit mbi evolucionin, dhe po hamendësoja se çfarë lloje metaforash kishin ekzistuar në shkencë në fillim të shekullit njëzet, dhe mendoj që ka plot të tilla.

Kur dhe si e zbuluat që këto dyja mund të shkojnë bashkë?

Mendoj që në fillim, siç edhe thashë, po e merrja drejtimin nga kritikët që i kishin hedhur sytë kah fiksioni i shekullit nëntëmbëdhjetë dhe nga teoria e evolucionit e Darvinit. Andaj, kishte një vazhdimësi që tashmë ishte vendosur nga kritikë si Gillian Beer e George Levine, në të 1980-tat. Kur filloni t’i shikoni zhvillimet shumë të njohura si teoria e Ajnshtajnit më 1919, shumë njerëzve u shkon mendja te imagjinatat, me kërcimet imagjinatave që mund të kenë ngjarë në procesin e të menduarit për gravitetin në atë mënyrë. Andaj, gjuha e imagjinatës është kudo në të shkruarit për shkencën, te shkrimet e caktuara të famshme për shkencën në fund të vitit 1919-ës dhe në fillim të vitit 1920 kur teoria e përgjithshme u dëshmua edhe eksperimentalisht. Andaj, supozoj që vetë ata njerëz të asaj kohe po ma jepnin drejtimin, një lloj indikacioni që i kishin parë si dy fusha të lidhura përmes imagjinatës.

Si të fusë një autor shkencë në letërsi bukur dhe thellë pa qenë teknik dhe i mërzitshëm?

Ekzistojnë mënyra të ndryshme. Njëra prej atyre mënyrave është ajo e rikthimit të idesë së formës – që vetë forma e një vepre mund të arrihet nga idetë shkencore dhe nuk ka nevojë që të përdoret ndonjë fjalor i veçantë shkencor. Sigurisht, dikush mund të debatojë përgjithmonë nëse ata shkrimtarë u frymëzuan nga shkenca apo nga diçka tjetër. Andaj, nuk mund të jini kurrë të sigurt. Mënyra tjetër, e në të cilën kam qenë shumë i interesuar së fundmi, është e poetëve që përdorin fjalë shkencore në poezi dhe vërtet e ballafaqojnë lexuesin me diçka të papritur. Ne nuk presim domosdo të gjejmë terma teknikë në poezitë tona e pastaj ndoshta të ndërtojmë ndonjë strukturë të së menduarit prej atyre termave. Andaj, për shembull, T.S. Eliot në poezinë e tij të famshme, Kënga e Dashurisë e Alfred J. Prufrokut – ai në vargjet e para e përdor fjalën “eterizuar” – si një pacient i eterizuar mbi tryezë’. Dhe është një fjalë që të vjen e papritur kur e has në një poezi të asaj kohe. Mendoj që së fundi ndoshta jemi mësuar më shumë që poetët të përdorin një fjalor të gjerë. Mirëpo, në kohën kur ai e kishe shkruar, më 1915 kur qe botuar, është vërtetë befasuese. Andaj, ka një shok vlerë rreth saj, supozoj. Mirëpo, është gjithashtu ideja e metaforës së zgjatur që nga ideja e pacientit të eterizuar mbi tryezë, të fillojmë të esktrapolojmë. Ne fillojmë të mendojmë, a është vallë dikush duke e operuar këtë pacient? Pse janë të pavetëdijshëm? E të tjera. Çfarë ka të bëjë kjo me një këngë dashurie? E kështu me radhë e me radhë. Ne duhet, si lexues, që ta përdorim imagjinatën tonë dhe t’i përdorim proceset tona të mendimit që ta shqyrtojmë e bluajmë në mendje se pse po ndodh diçka e tillë.

Albert Ajshtajni, teoria e së cilit solli revolucion në fizikë e përtej

 

Mund të përdorësh fjalor e elemente shkence në letërsi pa qenë besnik i përpiktë i së vërtetës?

Mendoj që kjo mund të funksionojë në nivele të ndryshme. Disa poetë janë thjesht të interesuar në tingullin e fjalëve, të cilësisë së papritur, dhe nuk shkojnë domosdo aq thellë. Disa poetë të tjerë janë të interesuar në këtë, mirëpo ata janë po ashtu të interesuar në një shikim të ri të botës që vjen me atë fjalor dhe ato sete konceptesh, supozoj. Andaj, për sa i përket të vërtetës dhe se çfarë i ndodh të vërtetës së shkencës kur e bartin në një poezi apo roman, mendoj që kjo është e ndryshueshme. Sigurisht, unë nuk do ta shpija dikë te një poezi apo roman për ta gjetur të vërtetën e shkencës. Ne kemi pritje të tjera nga ato lloj krijimesh. Mirëpo, e vërteta e shkencës mund të ketë diçka për të thënë apo për të bërë brenda atyre krijimeve letrare.

Pse ishte shkenca aq ndikuese te modernistët?

Mendoj që ekzistojnë shumë arsye. Njëra është që shkenca ndodhej në një moment të madh të ndryshimit në fillim të shekullit njëzet. U bënë pajisje të reja vrojtimi, pajisje të reja matjeje që ua mundësonin njerëzve të shihnin në një shkallë që nuk kishin mundur më parë. Dhe në disa mënyra, ajo gati dhe pothuajse e bën të duket sikur shkenca ishte më pak e qëndrueshme se sa kishte qenë më herët. Andaj, edhe një shkrimtar që ndihej se ishte kundër shkencës, mund ta konsideronte atë situatë si moment interesant. Ata pothuajse e përdorin këtë kuptimin e ardhjes së shkencës së re si një mënyrë e hedhjes poshtë të pikëpamjeve të vjetra. Dhe kjo mund të vijë nga një besim në shkencën e re, ose mund të vijë nga një antipati më e gjerë ndaj shkencës në tërësi. Andaj ja edhe një. Mendoj që fakti që njerëzit po i vrojtonin gjërat në shkallë të reja, po e vrojtonin më të imtën dhe po ashtu absolutisht më gjiganten, kozmiken, ishte imagjinativisht ngazëllyese edhe për shkrimtarët dhe poetët. Ideja e thyerjes së atomit ishte ngazëllyese. Ideja që është mjaft e zakonshme, që dritës së yjeve i duhen mijëra vite që të arrijë tek ne, dhe se në një planet të largët, ju mund të shihni përmes reve, ju mund ta shihni Betejën e Waterloo-së po tani. Kjo është një metaforë e shpeshtë. Ata e shpijnë imagjinatën në vende ngazëllyese. Supozoj asisoj. Mendoj që mund të vijnë që të dyja nga dashuria për shkencën por edhe nga mosbesimi në shkencë. Mund të vijnë nga vende të ndryshme dhe nga vende të njëjta te një shkrimtar i vetëm. Shkrimtarët janë njerëz kontradiktorë.

Sa/si mund të përçojë letërsia emocion dhe spiritualizëm edhe përmes shkencës?

Mendoj që nganjëherë idetë shkencore mund të na japin mënyra se si t’i artikulojmë emocionet të cilat nuk kemi mundur t’i artikulojmë më parë. Andaj, në njërin prej romaneve të D.H. Lawrencet, ndoshta vetëm në versionin e draftit, ai shkruan për dikë që ka një lloj magnetizmi të errët dhe të papastër. Dhe në një tjetër ai flet për një personazh sikur të ishte radiumi në një pikë, ku ndoshta për fuqinë vdekjeprurëse të radiumit nuk dihej edhe aq mirë. Rrezet X janë ngazëllyese, për shembull si metaforë për t’i parë njerëzit përtej. Dhe këtë e shohim në fantashkencën e hershme, te H.G. Wells dhe Njeriu i Padukshëm, por po ashtu e shohim në gjëra që nuk janë fantashkencë. Andaj, kjo ndjesi e çuditshme që duhet ta dimë se kemi skelete brenda nesh dhe këto skelete janë e vetmja gjë që do të mbetet kur vdesim, disi sillet në jetë nga rrezet X. Andaj, mendoj që ka mënyra nganjëherë të arritjes së ndjenjave të reja dhe po ashtu artikulimit të ndjenjave që letërsisë e mëparshme i kishin shprehur. E përmenda T.S. Eliottin dhe idenë e një njerëzimi joeuklidian, të një vete që është krejt sipërfaqe dhe pa thellësi. Dhe nuk është që është sipërfaqësore, por është thjesht një mënyrë ndryshe e të kuptuarit se çfarë do të thotë të jesh njeri. Andaj, prapë e them, ajo ishte një ide e re për atë kohë. Disi shfaqet në mënyrë të vagët në shkrimet e Fridrih Niçes, supozoj. Mirëpo, ai e artikulon në një mënyrë të cilën nuk e gjejmë në filozofi.

Pse janë Woolf, Conrad, T.S. Eliot dhe D.H. Lawrence qendrorë në studimin tuaj te Zgjimi i Ajnshtajnit?

Mendoj që ata po përzgjidhnin disa ide interesante shkencore. Joseph Conradi, është njëri prej shkrimtarëve më të hershem të cilin e kam analizuar. Ai mbledh ide nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, në fakt, për entropinë dhe termodinamikën. Dhe një pikë e rëndësishme për termodinamikën është që është dija statistike e botës. Ne nuk e dimë domosdo se çfarë po bën secili atom, por e dimë tendencën e një grupi atomesh. Dhe mendoj që atij i duket interesante për sa i përket mundësisë për të projektuar  në botë atë që besojmë, faktin që bota mund të përbëhet nga një rastësi themelore. Andaj ai merr nga kjo. Ai ka një personazh të quajtur Heat (nxehtësia), e që është një emër i çuditshëm. Heat nuk është mbiemër anglez. Andaj, pse e përdor ai këtë? Kjo është një e dhënë. Ai po ashtu e ka një personazh, Agjentin Delta, me Deltën që simbolizon ndryshim, sigurisht. Andaj kjo është një e dhënë tjetër. Në anën tjetër, Woolf mendoj që përgjigjet më ndryshe, më pak programatike. Mirëpo, ajo merr prej ideve mbi kohën, për çfarë ju fola, për gjërat në të kaluarën që na arrijnë neve shumë më vonë. Andaj, një personazh në romanin e saj Udha për te fari, mendon për dritën e tij që udhëton në hapësirë dhe bashkohet me një dritë tjetër. Ai mendon për të veten në një mënyrë të kotë. Po mendon se si do të mbahemi mend. Dhe ajo e nxjerr atë imazheri nga veprat e famshme astronomike dhe supozoj që e bën atë në një mënyrë alergjike. D.H. Lawrence në disa mënyra e vë veten kundër botës së mekanizmit dhe teknologjisë, e fabrikave e kështu me radhë. Andaj, ai është shumë kureshtar për dikë që në sipërfaqe është kundërshtar i shkencës mirëpo pastaj bazohet në idetë mbi radiumin, apo kur flet për personazhin, flet për gjendjet tropike të materies që karboni mund t’i manifestojë edhe si diamante, edhe si thëngjij. Dhe atij kjo i duket vërtet magjepsëse. Dhe ky është një rast i çuditshëm po ashtu, sepse është një ide qarkulluese e një të menduari ezoterik për atë kohë. Andaj, është edhe shkencore, por po ashtu vjen nga këto lëvizjet si teozofia dhe spiritizmi e kështu me radhë. Se ku e ka marrë atë ide, nuk jemi të sigurt, por kjo prapë e lejon atë që ta artikulojë një ide ndryshe të vetvetes, të asaj se si është të jesh në botë.

T.S. Eliott dhe Virgina Woolf

Pse pikërisht u fokusuat te metafora për ta shpjeguar lidhjen letërsi-shkencë?

Një arsye e madhe do të ishte që të gjithë e dimë që fizika e fillimit të shekullit njëzet ishte e formalizuar matematikisht dhe matematika është shumë e vështirë. Madje, ishte e vështirë edhe për disa prej gjeneratës më të vjetër të fizikanëve të asaj kohe. Për relativitetin e përgjithshëm, Ajnshtajni përdor gjeometri që nuk ishte e njohur për shumicën e njerëzve. Andaj, në njërën anë, formalizimi matematikor i shkencës ishte i pakapshëm për të gjithë përpos për një grup të vogël të njerëzve të arsimuar si duhet. Në anën tjetër, disa nga të menduarit në themel të asaj teorie ishte artikuluar si metaforë. Dhe një gjë që më interesonte, edhe pse ishte shumë e zorshme për ta vërtetuar, ishte që ato metafora në një mënyrë na e shfaqin botën në të cilën po jetonin shkencëtarët. Andaj, një shembull shumë i thjeshtë do të ishte transmetimi i informatës. E kam përmendur dritën e yjeve që merr kohë për të udhëtuar, dhe ata po jetojnë në një botë që po fillon t’i ngjajë botës sonë për sa u përket telegrafëve që i lidhin njerëzit, udhëtimit të informatave në shpejtësi të ndryshme varësisht se si transmetohen. Dhe kjo është interesante për sa i përket asaj se çfarë i bën sensit tonë të hapësirës dhe kohës. Shumë prej ekspeditave të Ajnshtajnit përdorin trenat që e kalojnë njëri-tjetrin, dhe ia vlen të mendohet që ajo ishte një përvojë relativisht e re për atë kohë. Trenat kishin qenë vetëm për diku rreth 50 vjet, andaj nxitimi i patrazuar është diçka që e kuptojmë si pasagjerë të trajnuar. Mirëpo, nëse keni qenë në një karrocë me kuaj në një rrugë të tragëzuar më 1950, ju nuk do ta kishit përjetuar nxitimin. Ju do të ishit hedhur anekënd atij vendi. Prandaj, kur ata i përdorin këta metafora për trenat që e kalojnë njëri-tjetrin, për çiklistë që nxitojnë në një rrugë të lakuar çiklimi si në një rrugë e përshtatshme garash në ambient të mbyllur, ata po bazohen në botën moderne që ofron përvoja të reja në të. Andaj prapë, mundem vetëm të spekuloj, por ne kurrë nuk mund ta vërtetojmë këtë si historianë të shkencës, mirëpo mund të spekulojmë që sensi i tyre i hapësirës dhe kohës ishte formësuar nga këto mënyra të reja të lëvizjes dhe transmetimit të informacionit.

Ka ndonjë figurë tjetër stilistike që keni hasur në shkencë?

Në një mënyrë, metaforën e përkufizoj shumë gjerësisht,  me shumë hapësirë, andaj të gjitha llojet e figurave stilistike përshihen në atë titull. Në shumë mënyra, metafora është kryesorja për mua. Gjeni po ashtu shkencëtarë, sidomos në veprat e famshme, që aludojnë në vepra të tjera letrare, dhe supozoj që një përdorim i ndryshëm i figurshëm po përdoret, në kuptimin e asaj që, fizikani Oliver Lodge, i cili nuk e kishte pranuar teorinë e Ajnshtajnit dhe i kishte pasur idetë e veta jokonvencionale. Ne e gjejmë atë duke aluduar në fraza biblike në mënyrë që ta rrisë tonin shpirtëror të shkrimeve popullore shkencore. Imagjinata lidhet edhe me pyetjen mbi metaforën po ashtu, në kuptimin që metafora na lejon ta shohim botën ndryshe.

A i hyri letërsia në punë shkencës që të depërtojë te masa e gjerë me shpjegimet e saj?

Po, dhe nuk qe bazuar vetëm në letërsi. Qe bazuar në të gjitha llojet e përditshmërisë që i rrethojnë njerëzit. Një shembull tjetër është ai miti mendoj që Ajnshtajni kishte menduar për relativitetin kur kishte hamendësuar se çfarë nëse një person do të ishte në lift dhe kablloja e liftit do të këputej? Atëherë ata do të nxitonin në rënie. Nuk ka prova, realisht, që Ajnshtajni kishte menduar për këtë. Është si puna e mollës së Njutonit. Është sikur një tregim i origjinës për këtë. Mirëpo, prapë, është një tjetër përvojë e dallueshme e jetës moderne. Nuk e di fort mirë se kur liftet janë shpikur dhe instaluar në masë të madhe, mirëpo imagjinoj që është një gjë që daton nga mesi i shekullit nëntëmbëdhjetë. Andaj, këto përvoja që i kemi se çfarë ndiejmë si gravitet, kur një lift ngrihet lart dhe kjo papritmas i bën njerëzit të mendojnë se si funksionon universi, se si funksionon graviteti dhe se si mund të jetë diçka tjetër përveç një force e që kësisoj, mund të ketë të bëjë me formën e hapësirë-kohës. Andaj, po, mendoj që nuk është vetëm letërsia në të cilën ata bazohen. Në fakt, shembujt letrarë brenda fizikës janë relativisht të paktë dhe larg mes njëri-tjetrit, ose nëse janë të tillë atëherë kanë qenë të tillë dhe të disponueshëm për njerëzit që jetonin në qytete moderne.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.