“E turpshme, s’do të heshtim”, veteranët reagojnë rreth Kuvendit dhe deklaratës së Kurtit për Thaçin e Veselin NULL NULL 05.07.2025 10:43 05.07.2025 10:43 Organizata e veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dalë me një qëndrim para nisjes së seancës së 42 me radhë në tentim për ta bërë funksionale legjislaturën e nëntë. Kjo organizatë thekson se në mbledhjen e mbajtur të premten, kryesia e saj trajtoi me shqetësim të thellë dy çështje madhore që po e dëmtojnë rendin demokratik, unitetin shtetëror dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare. “Së pari, denoncojmë me forcë krizën institucionale të krijuar nga një bllokadë politike e pajustifikueshme dhe arrogante. Është e papranueshme që në kohën kur qytetarët e Kosovës përballen me pasiguri, varfëri dhe kërcënime të jashtme, partitë politike, e posaçërisht partia fituese, të luajnë me fatin e shtetit vetëm për interesa të pushtetit. Kjo sjellje është turpëruese dhe e dëmshme për demokracinë”. “Luftëtarët e UÇK-së nuk dhanë gjakun për një Kosovë të bllokuar, as për politikë të verbër e destruktive.Së dyti, dënojmë ashpër deklaratën e fundit të ish-Kryeministrit Albin Kurti, i cili në mënyrë të turpshme dhe të papërgjegjshme ka sulmuar publikisht ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, duke pretenduar se ata po japin “instruksione politike nga burgu”. Ky qëndrim është jo vetëm i neveritshëm politikisht, por edhe i rrezikshëm në aspektin ligjor dhe moral. Albin Kurti, në vend që të mbrojë qytetarët e vendit të vet nga padrejtësitë ndërkombëtare, zgjodhi t’u bashkohet akuzave që fabrikohen kundër luftës tonë të shenjtë për liri. Kjo është një tradhti morale ndaj të kaluarës dhe të ardhmes së Kosovës”. OVL UÇK thekson se nuk do të heshtë përballë zhvillimeve siç i quajnë të rrezikshme. “ Ne do të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të vlerave të luftës, të drejtës së popullit tonë për liri dhe dinjitet, dhe të çdo luftëtari që sot padrejtësisht mbahet larg vendit për të mbajtur gjallë skenarë të turpshëm politikë”, thuhet në reagimin etyre, transmeton Klankosova.tv. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kërcënimi në Kuvend, Abrashi: Deputetët të ftoheshin të qëndronin në objektin e Qeverisë 2 orë më parë