Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

E burgosura që punon e mëson për të ndihmuar fëmijët jashtë

NULL NULL
06.05.2016 13:00

Living ka qenë në burgun 325 të grave në “Ali Demi”. Kemi takuar aty njërën prej të burgosurave, Lule Docin, e cila pa e hequr punën nga dora, na ka treguar historinë e saj. Një histori vrasjeje por edhe një jetë e gjitha në vuajtje.

Sot, edhe nga burgu, Lulja punon, qëndis apo bën gjithë tjetër ç’mundet, për të fituar para e për të ndihmuar fëmijët jashtë. Ajo nuk do të kishte asnjëherë mundësi të na shkruante një letër elektronike, prandaj ne shkuam e pyetëm vetë dhe po e sjellim rrëfimin në vetë të parë, sikur Lulja të ishte përtej kompjuterit.

“Gati 5 vite më parë jam dënuar për vrasjen e bashkëshortit. Më kanë ngelur edhe tre vite të tjera për të bërë. Kam 5 fëmijë, tre djem dhe dy vajza, më i vogli është 16 ndërsa djali i madh është 33 vjeç.  Askujt nuk i them të gjej zgjidhjen e fundit, siç bëra unë. Ka qenë një moment i zi, kur kam humbur kontrollin. Ai më rrihte vazhdimisht, përditë, pa asnjë arsye. Shpeshherë kam kërkuar ndihmë edhe nga policia, por askush nuk e ka marrë serioze këtë ankesë, nuk është gjendur asnjë polic të më ndihmojë. Me siguri që po të ishin marrë masa kohë më parë, mund të mos kishte ndodhur ajo që ndodhi. E mallkoj veten për atë që kam bërë. Vërtet kam vuajtur shumë për 32 vite, por nuk do doja ta kisha vrarë. Atje ku jetoja, në fshatin Karnicë, punoja në bujqësi. Njësoj si këtu në burg që e kam kohën të organizuar për të gjithë ditën, ashtu edhe atje. Në mëngjes sa zgjohesha pija kafen, punoja në bujqësi. Në drekë kthehesha të pushoja pak, për të punuar sërish. Me drekën e me punët merreshin vajzat. Kisha edhe një orar timin, çdo darke, që doja të shihja lajmet. E bëja çdo ditë këtë gjë. Edhe aty, duke dëgjuar lajmet, ato të vrasjeve si të rastit tim, asnjëherë nuk kam menduar ta bëj vetë. Unë e kam dashur burrin dhe po të kthehesha edhe një herë mbrapa, do të martohesha prapë me të, nuk doja të arrinin punët deri këtu”.

Megjithëse ne ndërhymë për të thënë se kjo nuk është fare e lehtë për t’u besuar, Lulja vijon… “Kjo është ajo që ndjej, kjo është e vërteta ime. Unë përditë i lutesha Zotit që situata në shtëpi të ndryshonte, por se si nuk e dija, këtë jo, nuk e kisha çuar nëpër mend. Im shoq më ka rrëmbyer, e kam dashur vetë, ndërsa familja ime nuk donte. Fëmijët tashmë e kanë pranuar këtë situatë sepse i kanë parë vetë vuajtjet e mia nëpër vite. Vijnë më takojnë sa herë janë në Tiranë sepse tashmë janë transferuar të gjithë në Greqi, njëri ka tërhequr tjetrin e kanë ikur të gjithë. Edhe këtu ku jam, meqenëse angazhohem në çdo gjë të re që vjen, çdo kurs a praktikë, i ndihmoj me sa mundem. Për shembull, kam bërë kursin e guidës turistike, ku i dihet, një ditë, kur të dal prej këtej, mund ta ushtroj si punë në vendin tim, do doja t’u tregoja turistëve Krujën dhe  malin e Qafështamës që është tri orë larg me makinë. Është edhe një zonë shumë e bukur turistike, si Thethi, edhe atje do të doja t’i çoja. Unë do doja që kjo e tanishmja të kalonte si plagë, unë e di sa po e vuaj dhe pavarësish se vetë do ta kem gjithë jetën, nuk dua të më gjykojnë edhe të tjerët. Gjithashtu, më pëlqen shumë të punoj me bizë, të qëndis. E kam bërë këtë punë që 10 vjeçe. Edhe këtu punoj vazhdimisht, aq sa më vijnë porosi nga jashtë dhe nuk kam kohë t’i bëj të gjitha. Tani kam vetëm atë që jam duke punuar, të tjerat m’i mori vajza jashtë, për nevoja ekonomike edhe ajo, i merr e i shet.  Këtu në burg, paradite punoj në serë, angazhohem në çdo aktivitet që bëhet këtu, jam tjetër njeri. Kam qenë gjysma e kësaj që sheh këtu, për nga pesha. Shkoj shpesh e lexoj në bibliotekë. Kur kam qenë e vogël më pëlqente shumë të mësoja, por aq mundësi kishim e s’munda të shkoj më tej se klasa e 8.  Këtu nuk ngatërrohem me asnjë, shoh punën time dhe po të veprosh kështu, nuk krijon as ngatërresa. Do t’i kaloj vitet që më kanë mbetur kështu, duke punuar e mësuar me shpresën që kur të dal jashtë, nuk do të vuaj gjithë pjesën tjetër të jetës nga paragjykimet.”

lajme të ngjashme