Dy gra të vrara nga burrat për pesë ditë, dhe kjo në “16 Ditët e Aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore” NULL NULL nga Njomza Pllana 30.11.2022 20:07 nga Njomza Pllana 30.11.2022 20:07 Një 35-vjeçare ka mbetur e vdekur në oborrin e Klinikës Gjinekologjike të QKUK-së mbrëmjen e kësaj të mërkure. E ndjera që besohet të ishte 41-javëshe shtatzënë, dyshohet se u vra nga ish-burri i saj me dy plumba në kokë, njofton Klankosova.tv. Burime të Klankosova.tv bëjnë të ditur se i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes. Rastin e vrasjes e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. “Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeçare”. “Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti. Vrasja e sotme është e dyta në pesë ditë ndërsa në vend ka nisur kampanja ‘16 Ditët e Aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore’. E pikërisht në ditën kur nisi kjo kampanjë, më 25 nëntor, Sadije Godeni, 63-vjeçe, mbeti e vrarë me sëpatë teksa ishte në gjumë, ndërsa i dyshuari, Isak Godeni, që ishte bashkëshorti i saj, është ndaluar nga Policia pasi ishte vetëdorëzuar, njofton Klankosova.tv. Rastin tragjik të datës 25 nëntor për Klankosova.tv e pati konfirmuar edhe Policia. “Sot rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë. Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë”. “Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person i dyshuar: I. G, mashkull 70 vjeç. Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, pati thënë zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Për vrasjen e Godenit, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ndaluar të dyshuarin teksa pati dhënë edhe detaje për rastin. “Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë. Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë të 25 nëntorit. Për rastin e 25 nëntorit kanë reaguar krerët e shtetit, organizata të shoqërisë civile e qytetarë të shumtë. /Klankosova.tv